Skandali i “Panama Papers” e ka detyruar qeverinë e Parisit ta fusë Panamanë në “listën e saj të zezë” të juridiksioneve tatimore jobashkëpunuese.
Kështu bëri me dije ministri francez i Financave, i cili theksoi se “Panamaja është një shtet që na bëri të besonim se mund të respektonte parimet kryesore tatimore ndërkombëtare dhe kështu vendi ishte hequr nga “lista e zezë”, por tani Franca ka vendosur që ta fusë sërish Panamanë në radhën e vendeve jobashkëpunuese me të gjitha pasojat që do të ketë për individët që kanë marrëdhënie me Panamanë”.
Ministri francez u bëri thirrje edhe vendeve të tjera të shqetësuara, të marrin të njëjtin vendim.
Vitin e kaluar, Franca i hapi luftë evazionit fiskal dhe nga 7800 raste të kapura në flagrancë, 515 rezultonin se ishin pjesë e “Panama Papers”.