Restorantet, dyqanet dhe hapësirat kulturore në të gjithë Francën rihapen sot pas disa muajsh të mbyllura si pasojë e pandemisë së koronavirusit.

Nga sot, grupe me deri në gjashtë persona do të lejohen të hanë së bashku në tarracat e restoranteve. Po ashtu, ora policore do të nisë nga ora 21:00 dhe jo 19:00, siç ka qenë deri më tani.

Franca është vendi me numrin më të madh të të infektuarve në Evropë: mbi 5.9 milionë dhe numri i infeksioneve ditore aktualisht është rreth 13,000.

Fushata e vaksinimit në Francë po ashtu është përshpejtuar javëve të fundit. Më shumë se 20 milionë njerëz tani kanë marrë së paku një dozë të vaksinës, ndërsa gati nëntë milion i kanë marrë të dyja dozat.

Qeveria kishte vendosur si synim për të vaksinuar 20 milionë njerëz me së paku një dozë deri në mes të majit. Sipas shifrave të Universitetit Johns Hopkins, Franca ka regjistruar mbi 108,000 viktima nga koronavirusi.