Gjyqtarët francezë kanë lëshuar fletë-arresti për presidentin e Sirisë, Bashar al-Assad, vëllain e tij Maher al-Assad, dhe dy zyrtarë tjerë të lartë, lidhur me përdorim të armëve të ndaluara kimike kundër civilëve në Siri, ka thënë një burim brenda gjyqësorit për agjencinë e lajmeve Reuters.
Fletë- arrestet, të cilat lidhen me akuza për përfshirje në krime kundër njerëzimit dhe në krime lufte, vijnë pas një hetimi penal për armët kimike në qytezat Douma dhe Gutën Lindore, në gusht të vitit 2013. Si pasojë e atyre sulmeve kanë vdekur më shumë se 1.000 njerëz.
Ky është fletë-arresti i parë ndërkombëtar që është lëshuar për Presidentin e Sirisë, forcat e të cilit kanë tentuar t’i shtypin me forcë protestat e popullit që kanë nisur më 2011. Ekspertët e Kombeve të Bashkuara kanë thënë se shtypja e evidentuar në Siri përbën krim lufte.
Kjo është edhe hera e parë që është lëshuar fletë – arresti për përdorim të armëve kimike në Guta, më 2013, ka thënë Mazen Darwish, avokat dhe themelues i Qendrës Siriane për Media dhe Liri të Shprehjes, i cili e ka hapur një rast në Francë.
Siria e mohon përdorimin e armëve kimike, mirëpo një hetim i përbashkët i OKB-së dhe Organizatës për Ndalim të Armëve Kimike, ka gjetur se Qeveria siriane e ka përdorur agjentin nervor sarin në sulmet e prillit të vitit 2017 dhe e ka përdorur disa herë klorin si armë. Presidenca siriane dhe Ministria për Informacion, nuk janë përgjigjur në kërkesat për koment.
“Presidenti është përgjegjës për shumë krime në Siri – mirëpo me këtë lloj arme në veçanti – gazin sarin – është e pamundshme të mbushen zbrazëtitë (e përfshirjes së tij)”, ka thënë Darwish për Reuters, duke theksuar se miratimi i presidentit është i detyrueshëm kur ushtria mëton të përdorë një armë të tillë.
Në tetor, gjyqtarët francezë kanë lëshuar fletarrestime për dy ish-ministra sirianë të Mbrojtjes, për shkak të një sulmi me bombë të vitit 2017, që e ka vrarë një burrë francezo-sirian në shtëpinë e tij në Dara./ REL