Vetëm pak muaj pasi kryeministri Edi Rama, mori nderimin më të madh zyrtar të Republikës franceze, urdhrin “Komandanti i Legjionit të Nderit”, tashmë është një anëtare e kabinetit të tij që merr një “urdhër” nga Franca.
Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, është nderuar me urdhrin “Oficere e Nderit në Art dhe Kulturë” nga Ministria e Kulturës dhe Komunikimit të Francës, njëri nga katër titujt e nderuar ministerialë të Republikës Franceze që akordohen për personalitete në Art dhe Kulturë.
Ky titull iu akordua Kumbaros nga ministrja e Kulturës dhe e Komunikimit e Republikës së Francës, Audrey Azoulay, me motivacionin për kontribut të lartë në fushën e kulturës dhe të bashkëpunimit shqiptaro-francez.
"Kumbaro ka dhënë një kontribut të veçantë në marrëdhëniet kulturore shqiptare-franceze me synimin e promovimit të vazhdueshëm të kulturës shqiptare në Francë dhe në Europë, por edhe forcimi i lidhjeve mes dy vendeve tona në fushën e kulturës dhe trashëgimisë kulturore si ura komunikimi dhe shkëmbimi të vlerave reciproke", thuhet ne njoftimin e ministrise.





