Franca regjistroi të hënën mbi 20,000 viktima nga koronavirusi, duke u bërë vendi i katërt në botë që e kalon këtë prag, pas Italisë, Spanjës dhe Shteteve të Bashkuara.

Shifrat zyrtare, megjithatë, tregojnë se numri i pacientëve nën kujdes intensiv ka rënë për të dymbëdhjetën ditë me radhë. Janë 2489 raste të reja me koronavirus duke e çuar numrin e të prekurve në 155 383 në total. Në 24 orët e fundit janë regjistruar 547 viktima.

Javën e kaluar, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i ka zgjatur masat e izolimit atje deri më 11 maj, në përpjekje për të frenuar përhapjen e koronavirusit. Macron ka thënë se kufizimet aktuale e kanë ngadalësuar koronavirusin, por nuk e kanë mundur atë.