Ambasadori i Rusisë në Francë u thirr sot në Ministrinë e Jashtme franceze, në lidhje me incidentin e fundit me depërtimin e dronëve në hapësirën ajrore të Polonisë, bëri të ditur ministri i Jashtëm në largim, Jean-Noël Barrot.

E njëjta lëvizje është ndërmarrë edhe nga disa vende të tjera europiane.

“Është thirrur këtë mëngjes. Do t’i themi qartë se nuk do të lejojmë që të na frikësojnë,” deklaroi Barrot në një intervistë për radion France Inter.

“Qoftë qëllimisht apo jo, rastësisht apo me vetëdije, kjo është shumë serioze. Kjo është tërësisht e papranueshme. Dhe është vetëm një nga provokimet e panumërta të Vladimir Putin,” shtoi ai, duke iu referuar presidentit rus.

Për të mbështetur sigurinë ajrore të Polonisë pas incidentit me dronët në fillim të javës, presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi të enjten mbrëma se Franca do të vendosë tre avionë luftarakë Rafale në rajon.