DURRËS, 2 maj 2014 –  Në prag të Brukselit Parisi zyrtar afrohet me Tiranën në Durrës, pasi francezët do të armatosin anijet e patrullimit të prodhimit holandez-shqiptar, kështu trafikantët e armëve, drogës, njerëzve duhet të maten mirë para se të ndërmarrin lundrime ilegale nëpër Adriatik dhe Jon.

Bëhet e ditur se para pak kohësh, një ekip specialistësh të grupit shtetëror francez të prodhimit të armatimeve “Nexter” (ish-GIAT – Groupement des Industries de l'Armée de Terre), me seli në qytetin e Roanës të departamentit të Luarës kanë “zbarkuar” në Plepa të Durrësit, në komandën e Forcës Detare Shqiptare (në foto).

Mësohet se delegacioni i Ministrisë franceze të Mbrojtjes kryesohej nga përfaqësuesi i saj për Evropën, z. Philippe David.

Në mungesë të komandantit të Forcës Detare, gjeneral brigade Qemal Shkurti, i cili ndodhej për një vizitë në Republikën e Turqisë në komandën e Rojës Bregdetare, ekspertët francezë u pritën nga zëvendësi i tij, kapiten i rangut të I-rë Ferdinand Kreshpani dhe drejtues të degës operacionale dhe planifikimit në Forcën Detare.

Burime zyrtare thonë se qëllimi i kësaj vizite ishte bashkëpunimi midis Forcës Detare dhe kompanisë në fjalë mbi mundësinë e pajisjes me armatim të anijeve të klasit “Iliria” të prodhuara në kantierin detar të Pashalimanit me palën holandeze (në fotot poshtë automatik me bajonetë dhe top, prodhuar nga “Nexter”).

Sikurse ka njoftuar “Dyrrah”-u, më 8 prill 2014, në bazën detare të Pashalimanit, u lëshua në ujë anija më e re e Forcës Detare, “Butrinti”, P-134.

Anija është e katërta e klasit “Iliria” dhe pason simotrat e saj, “Iliria” (prodhuar në vitin 2008 në Holandë nga kantieri detar “Damen”, në foto poshtë), “Oriku” (2011) dhe “Lissus” (2012).

Të tri anijet e fundit e shpëtim-patrullimit të Rojës Bregdetare janë prodhuar në Pashaliman nga ndërmarrja e përbashkët holandeze (Damen)-shqiptare shtetërore.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/