22 dhjetor 2014 – Sipas z. Pierre Magda shef i kabinetit të Prefektit të Prefekturës së Seine-Maritime mafia Shqiptaro-polake vazhdon biznesin fitimprurës të dërgimit të klandestinëve shqiptarë në Angli nga portet belge, holandeze dhe franceze. Ndonëse që nga 1 nëntori 2014 janë kapur 198 klandestinë shqiptarë në kamionë me shoferë polakë, trafiku i organizuar nga një shqiptar dhe një polak ish 007 të së kaluarës vazhdon me sukses.
Ky trafik ka pasur të arrestuar, ka pasur shqiptarë të plagosur, madje edhe dy të rinj (vajzë dhe djalë) të djegur të gjallë. Rasti i fundit ishte në portin francez të Diepës.
Doganierët francezë të premten më 19 dhjetor në ora 23 e30 zbuluan 16 klandestinë shqiptarë të fshehur në një kamion të ngarkuar me bredha Krishtlindjesh. Kamioni po bëhej gati të imbarkohej në tragetin e linjës “Transmancheferries” për në Angli. Kamioni drejtohej nga 2 shoferë polakë, që këtë të martë dolën para gjyqit, ku morën masën e sigurisë arrest me burg. 14 klandestinë u dërguan në një qendër pritje në qytetin e Oissel-it, derisa të kthehen mbrapsht në Shqipëri, ndërsa dy të mitur u dërguan në një strukturë të posaçme për të mitur.
/gj.th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





