23 dhjetor 2014 – Trajneri i Kombëtares shqiptare Gianni De Biasi, i pranishëm në mbrëmjen gala të Federatës Shqiptare të Futbollit, e cilësoi të vështirë kualifikimin për në "France 2016" dhe vlerësoi ndeshjen ndaj Armenisë si shumë të rëndësishme për ecurinë e këtyre Eliminatoreve.
"Nuk është e lehtë. E kemi nisur mirë, por në ndeshjen me Serbinë nuk morëm atë që merituam në fushën e lojës. Tani do të presim vendimin e KAS-it. Kemi zhvilluar vetëm tre ndeshjet e para të eliminatoreve dhe asgjë nuk është e sigurt për vazhdimësinë. Kemi për të luajtur edhe 5 ndeshje të rëndësishme. Ndeshja e radhës është jashtëzakonisht e rëndësishme, ajo ndaj Armenisë në "Elbasan Arena" më 29 mars të 2015-ës. Armenia nuk është një skuadër e lehtë, mbi të gjitha ka një lojtar si Mkhitaryan, i cili është mes më të mirëve të Europës", është shprehur De Biasi.
Deputeti i Partisë Socialiste Blendi Klosi, i cili ishte i ftuar iu drejtua zotit De Biasi duke i thënë se ndihej i zhgënjyer nga deklarata pasi, sipas tij, tani prisnim që trajneri ta cilësonte kualifikimin një detyrim, pavarësisht nëse do të realizohej apo jo. Por italiani i është përgjigjur duke thënë se rruga është ende e gjatë deri në ndeshjen e fundit atë ndaj Armenisë dhe se "shqiptarët janë njerëz që entuziazmohen menjëherë dhe e përjetojnë shumë dështimin".





