TBILISI, 16 tetor 2013 – Ish-homologu gjeorgjian i Fatmir Mediut, kur ky i fundit ishte ministër i Mbrojtjes, është ndaluar nga policia franceze në aeroportin e Nicës teksa po orvatej të shkonte me avion në kryeqytetin shqiptar, Tiranë. Lajmi i AFP-së po bën xhiron e botës dhe për faktin se hebreu-gjeorgjian Davit Kezerashvili ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar për korrupsion dhe mitmarrje para se të bëhej ministër mbrojtjeje, kur ishte në krye të policisë financiare. Vendimi për marrje të pandehur u shpall në mungesë në janar 2013. Mbetet mister pse zgjodhi Shqipërinë për të fshehur “kokën”. Ja dy lajmet.
AFP
Tbilisi – Autoritetet franceze kanë arrestuar një ish-ministër gjeorgjian të mbrojtjes i kërkuar në vendin e tij me akuza për korrupsioni, tha të martën një burim i policisë. Davit Kezerashvili, një aleat i ngushtë i presidentit Mihail Saakashvili në largim, u arrestua të hënën në aeroportin e Nicës vetëm para orës 11:00 GMT, ndërsa po orvatej të hipte në një avion në drejtim të Tiranës, kryeqytet i Shqipërisë, tha burimi nga policia. “Ai u ndalua nga policia kufitare gjatë një kontrolli dokumentesh. Policia zbuloi se ai ishte objekt i një urdhër arresti ndërkombëtar”, tha burimi. Kezerashvili tani do të përballet me një gjykim ekstradimi për të përcaktuar nëse ai duhet të dërgohet përsëri në shtetin e Kaukazit. Ai u paraburgos në Eks-an-Provans (Aix-en-Provence), rreth 30 kilometra në veri të Marsejës, i tha AFP-së një burim gjyqësor. “Prokuroria franceze aktualisht po kryen procedura ligjore”, tha ministria e brendshme e Gjeorgjisë në një deklaratë.
Kezerashvili, i cili gjithashtu ka qene dhe shef i policinë financiare, u akuzua në janar 2013 se kishte marrë një ryshfet prej 12 milionë dollarësh (9 milionë euro) për të lejuar kontrabandën e alkoolit në vendin ish-sovjetik. Rasti kundër Kezerashvili ishte një nga sërë hetimesh të ndërmarra kundër aleatëve të Saakashvilit, pasi partia e tij humbi zgjedhjet parlamentare në tetor 2012 përballë një koalicioni të kryesuar nga kryeministri miliarder Bixina Ivanishvili. Saakashvili, i cili do të largohet nga detyra kur përfundon mandati i tij i dytë pas zgjedhjeve në fund të këtij muaji, i ka hedhur poshtë akuzat dhe i konsideron hetimet si gjuetie shtrigash me sfond politik kundër atij vet dhe zyrtarëve të tij /AFP/.
Itar TASS
Në Francë ndalohet ish-ministri i Mbrojtjes gjeorgjian Davit Kezerashvili, njoftuan më 15 tetor 2013 përfaqësues të Ministrisë së Brendshme gjeorgjiane. Ende nuk janë bërë të ditura hollësi thotë agjencia Itar TASS. Në janar Kezerashvili u akuzua në mungesë “për marrje ryshfeti dhe bashkëpunim në kontrabandën e alkoolit etilik”. Sipas Ministrisë së Financave të Gjeorgjisë, Kezerashvili kur i ishte shef i policisë financiare të ministrisë së financave /2004-2006/ dhe ministër i Mbrojtjes /2006-2008/ ndihmoi dy biznesmenë vendorë “në importimin e alkoolit etilik në Gjeorgji pa paguar taksë doganore dhe në prodhimin prej tij (etilikut) të alkoolit për konjak duke shkelur teknologjinë”. Sipas hetuesve, ai ka marrë një ryshfet prej më shumë se 4 milionë dollarë, dhe pas largimit postin i kreut të Mbrojtjes – edhe 7 milionë dollarë të tjerë. Dëmi nga aktivitetet i paligjshëm i Kezerashvilit vlerësohet në 50 milionë dollarë. Ish- zyrtari ka shtetësi të dyfishtë – të Gjeorgjisë dhe Izraelit. Banor i kryeqytetit, Tbilisi, në vitin 1992 , së bashku me të afërmit u zhvendos në Izrael, pas dy vjetësh u kthye në atdhe. Nga viti 2001 ai ka punuar në ministrinë e Drejtësisë si kryeinspektor pëer reformat në sistemin e burgjeve; më vonë shef i shërbimit informativ analitik; ndihmës i Mihail Saakashvilit kur ishte kryetar i këshillit bashkiak të Tbilisit. /Itar TASS/
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





