Festivali më i madh i filmit në botë, ka nisur mbrëmë në Kanë të Francës, me adaptimin luksoz të romanit klasik “Getsbi i Madh” të autorit F. Scott Fitzelard.
Në filmin e regjisorit australian, Baz Luhrmann, rolet kryesore i luajnë Leonardo DiCaprio dhe aktorja britanike, Carey Mulligan.
Ky film është pritur me interesim të madh në Kanë, meqë kjo vepër në 3D me buxhet prej 105 milionë dollarësh, është pranuar me opinione të ndryshme në Shtetet e Bashkuara, javën e kaluar.
Gjatë 12 ditëve të ardhshme në Kanë do të shfaqen qindra filma, por 20 filma nga 10 vende do të konkurrojnë për çmimin kryesor Palma e Artë, që do të jepet më 26 Maj.
Kryetar i jurisë këtë vit është regjisori i njohur amerikan, Steven Spielberg, ndërsa në mesin e anëtarëve ndodhet edhe ylli austrilian i filmit, Nicole Kidman.
Është një nga eventet më luksoze të kalendarit të showbiz-it, por këtë vit ceremonia e hapjes së Festivalit të Kanës nuk i shpëtoi dot shiut të rrëmbyeshëm që detyroi yjet e kinemasë botërore të fshiheshin nën çadra.
Leonardo Di Caprio, Carey Mulligan, Freida Pinto dhe Nicole Kidman u shoqëruan të gjithë me punëtorë që i mbanin çadrat dhe u munduan të ruanin sharmin e tyre në rrugën e shkurtër nga limuzina deri tek tapeti i kuq, pavarësisht rrebeshit.
“Kishte shumë njerëz rreth meje kur dola nga makina dhe nuk lëvizja dot. Madje më goditën me çadër në kokë. Prisha pak fjalorin dhe u pendova pasi një kamera po xhironte gjithçka”, tha Mulligan për ‘Daily Mail’.
Ky është Festivali i 66 i Filmit në Kanë. Gjatë 12 ditëve të ardhshme, disa nga prodhimet më ambicioze artistike do të kenë premierën e tyre botërore pikërisht në këtë festival.
Favorit për fitimin e “Palmës së Artë” është filmi ‘The Great Gatsby’ me protagonistë Leonardo Di Caprio e Carey Mulligan dhe me regji të Baz Luhrmann.





