Franca dhe Britania e Madhe njoftuan masat për një bashkëpunim më të ngushtë në fushat e sigurisë dhe të mbrojtjes, pas samitit dypalësh të mbajtur në qytetin verior të Amiensit. Kryeministri britanik David Cameron dhe presidenti francez, Francois Hollande bënë të ditur arritjen e një marrëveshjeje për të punuar së bashku mbi llojet e reja të avionëve të telekomanduar dhe mbi këmbimin e informacioneve të kundërzbulimit.
Kjo ishte vetëm njëra anë e asaj që u diskutua, pasi kriza e emigrantëve, çështja më e rëndësishme, nuk mund të lihej jashtë konferencës së përbashkët për shtyp, përfshi këtu edhe krizën për zhvendosjen e emigrantëve nga kampi i ngritur në Calais. Në lidhje me këtë, kryeministri Cameron u shpreh: "Dua t’iu njoftoj se, ne do të investojmë një shumë shtesë prej 17 milionë paund në infrastrukturën prioritare të sigurisë në Calais, për të asistuar edhe më tej punën e policisë franceze. Paratë do të jepen në drejtim të përpjekjeve për t’i lëvizur ata njerëz nga kampi i Calais drejt ambienteve më të përshtatshme diku tjetër në Francë."
Ndërkohë, presidenti francez Hollande, edhe pse nuk specifikoi gjë, deklaroi se pavarësisht dëshirës së tij që Britania e Madhe të qëndrojë në BE, vendi ishullor do të përballet me "pasoja" mbi emigracionin dhe ekonominë, nëse largohet nga unioni. I pyetur në lidhje me deklaratat e një ministri të kabinetit të tij edhe mbi përfundimin e mundshëm të kontrolleve kufitare britanike në Calais, presidenti Hollande u shpreh: "Nuk dua t’iu frikësoj, thjesht dua t’iu them të vërtetën: Po, do të ketë pasoja nëse Britania largohet nga BE dhe këto do të jenë në shumë fusha. Qoftë në tregje jo më të përbashkëta, në këmbimet financare, në zhvillimin dhe veçanërisht atë ekonomik, mes dy vendeve tona. Kjo nuk do të thotë se do të shkatërrohet gjithçka, nuk jam këtu për të paraqitur skenare katastrofike, por do të ketë pasoja."