Francesko Becchetti i akuzuar për evazion fiskal dhe pastrim parash me një vlerë prej dhjetëra miliona eurosh në dëm të shtetit shqiptar, nuk do të ekstradohet në vendin tonë. Kështu ka vendosur sot Gjykata e Londrës, për biznesmenin Italian.

Ndërkohë pritet që avokatët e qeverisë shqiptare të apelojnë vendimin. Ata kanë 14 ditë kohë për ta apeluar vendimin e Gjykatës së Londrës.

Avokatët e Becchettit kanë deklaruar në sallën e gjyqit se kërkesa për ta ekstraduar ka motive politike dhe se qeveria shqiptare do të hakmerret ndaj tij. “Kërkesa e ekstradimit është e motivuar politikisht, kërkohet një ndëshkim i padrejtë. Kjo është hakmarrje e qeverisë shqiptare”,- ka thënë avokati.

Ndërsa përfaqësuesja ligjore e Shqipërisë ka argumentuar se nuk ka asnjë prapavijë politike në këtë proces.

Avokatët dhe vetë biznesmeni italian ishin të bindur se nuk do të kishte asnjë ekstradim. Kjo pasi biznesmeni italian vazhdon të mohojë akuzat duke akuzuar nga ana e tij autoritetet shqiptare se nuk asnjë provë kundër tij. Ndërkohë të gjitha pasuritë dhe llogaritë bankare të tij në Shqipëri janë bllokuar. Francesco Becchetti është ndër të tjera edhe pronari i klubit londinez të futbollit, Leyton Orient, në lindje të Londrës.

Edhe Becchetti mendon se proceset e tij në Shqipëri janë të motivuara politikisht. Ai ka deklaruar se gjykatësja e çështjes konstatoi se Shqipëria ka dezinformuar gjykatën.

“Ndjehem mirë me vendimin e sotëm dhe gjithashtu mirënjohës ndaj gjyqtares angleze,  që e shqyrtoi me kujdesin e duhur profesional këtë çështje. Gjykatësja në fjalë, ka konstatuar, se Shqipëria ka dizinformuar për të manipuluar Gjykatën Angleze, duke abuzuar kështu me procesin e ekstradimit. Vendimi i gjyqtares dëshmon qartë, siç kam thënë gjithmonë, se proceset penale kundër meje në Shqipëri kanë qenë të motivuara politikisht. Unë do të vazhdoj të ndjek procedurat përkatëse ndaj Qeverisë Shqiptare, për dëmin e madh që i ka shkaktuar jo vetëm biznesit tim, por dhe qindra njerëzve dhe familjeve të tyre që kanë punuar për mua.”- deklaroi Francesko Becchetti.