Klubi i futbollit Leyton Orient është vënë në qendër të medias për shkak të një incidenti që përfshiu presidentin e klubit, Francesco Becchetti dhe ndihmës menaxherin Andy Hessenthaler, pas fitores mbi Portsmouthin. Kamerat e televizioneve kanë filmuar Presidentin Becchetti ndërsa del në fushë dhe shkelmon ndihmës menaxherin e klubit. Becchetti kishte zënë vend prapa stolit të lojtarëve rezervë në stadiumin ‘Matchroom’ dhe në një moment të caktuar shfaqet në fushë duke e goditur me shkelm në të ndenjura asistentin. Gjithsesi, klubi nxori një deklaratë në emër të dy burrave ditën e diel me përpjekjen për të sqaruar situatën, duke e quajtur aktin e Becchetit si “dashamirës”.

Aty thuhej se “Ngjarja e raportuar në media ishte shumë pozitive për të dy, si për presidentin ashtu edhe për menaxherin, si dhe pjesë e një debati dashamirës midis të dyve”. “Të dy personazhet shkojnë shumë mirë si jashtë fushës edhe jashtë saj”, thuhet në deklaratë. “Z. Beccheti dhe Z.Hessenthaler ishin shumë të kënaqur me rezultatin e lojës dhe të dy po festonin një fitore emocionuese”, përfundon deklarata.