Ledjon është një fëmijë 5 vjeç i cili prej një viti frekuenton një shkollë në komunën La Roche-sur-Yon në perëndim të Francës.
Ai dhe prindërit jetojnë nën kërcënimin e ekspulsit të menjëhershëm.
Më shumë se 80 persona, prindër të fëmijëve të kësaj shkolle, dhe këshilli i Federatës së Prindërve po protestojn në mbështetje të familjes shqiptare, e cila siç shkruan media franceze nëse kthehet në Shqipëri është në rrezik të madh nga mafia shqiptare.
Ekspulsi i nënës dhe fëmijës, pa babain është dhënë në korrik, dhe prej atëherë ata jetojnë në kushte të mjerueshme, raporton Ora News.
Protestuesit i kërkojnë prefektit të rajonit të mbrojë të drejtat e njeriut dhe të fëmijës. Ata kanë hartuar një letër për të mbrojtur familjen dhe për t'i krijuar kushte të përshtatshme duke garantuar të drejtat themelore për arsimin dhe shëndetin.





