Real Madrid shpenzoi 50 mln euro për Ferland Mendy në verën e vitit 2019, duke e transferuar nga francezët e Lyonit. Pavarësisht se e nisi shumë mirë aventurën në “Santiago Bernabeu”, mbrojtësi i majtë nuk e mbajti ritmin dhe nuk ia doli të fitonte zemrat e tifozëve. Vitet e fundit nuk ka luajtur shumë, dhe tani nuk bën më pjesë në planet e së ardhmes së klubit të famshëm.
28-vjeçari vuajti në miqësoren përballë Barcelonës, sfidë të cilën “Los Blancos” e humbën 3-0.
Francezi nuk e përballoi dot bashkëpatriotin e tij Ousmane Dembele. Tifozët e Realit nuk e duan dhe kanë ndërmarrë një nismë në Twitter, duke ua ofruar lojtarin gjithë klubeve saudite. Por vetëm heshtje dhe refuzim pas “reklamës” së tifozëve spanjollë…
I vetmi klub nga Arabia Saudite që reagoi pas “ofertës” së tifozëve të Realit ishte Al-Fateh.Që e mori me shaka këtë propozim nga mbështetësit e Realit, teksa u përgjigj: “Faleminderit, por mund ta mbani në ekipin tuaj”…





