Banka Qëndrore Europiane miratoi një tjetër paketë masash për të nxitur ekonominë e Eurozonës dhe luftuar rënien e çmimeve. Në mbledhjen e fundit, Këshilli Mbikëqyrës i BQE uli më tej në territor negativ normën që kjo bankë paguan për depozitat e bankave private, nga minus 0.3 në minus 0.4 përqind.
Kjo masë synon të dekurajojë bankat private të Eurozonës të depozitojnë fondet e tyre në BQE, duke i shtyrë ato të kreditojnë biznesin dhe konsumatorët. Por, kjo nuk ishte lëvizja e vetme e guvernatorit Mario Draghi. Paralelisht, Këshilli Mbikqyres uli normën bazë të rifinancimit nga 0.05 në 0 për qind dhe zgjeroi programin e injektimit të parave në ekonomi.
Këto masa synojnë të forcojnë më tej rimëkëmbjen ekonomike të Eurozonës. Me vendimin e fundit, BQE do të injektojë 80 miliardë euro në muaj përmes blerjes së letrave me vlerë në ekonominë e Eurozonës, nga 60 miliardë euro që është shifra aktuale. Madje, duke filluar nga muaji i ardhshëm, ajo do të blejë jo vetëm letra me vlerë të qeverive, por edhe bono të kompanive private. Me fjalë të tjera do të investojë edhe në tregjet private të aksioneve.