Ndërtimet në zonën A dhe B duhet të ndalohen menjëherë, pasi nëntoka e tyre përmban një pasuri të nivelit të qytetit antik të Pompeit para erës së re dhe më tej të Romës në shek. 1 para erës së re deri në shek. 2 të erës së re
DURRËS, 12 tetor 2013 – Ish-ministrat e Kulturës, ish-drejtorët e Institutit të Monumenteve kanë kryer vepra penale ndaj pasurive të nëntokës së Durrësit, deklarimi i bujshëm është bërë nga arkeologu i njohur Gjergj Frashëri në një intervistë të 12 tetorit 2013 në të përditshmen shqiptarja.com. Duke iu referuar deklarimeve të kryeministrit Edi Rama, Frashëri thotë se në atë fjalim “nuk është lënë pa përmendur mbrojtja e trashëgimisë historike të vendvarrimit të Skënderbeut në Lezhë dhe e hapësirës arkeologjike të kalasë së Lezhës dhe e rrethinës arkeologjike të saj, të cilat janë dëmtuar në mënyrë mizore nga ndërtimet e reja, që e kanë goditur në mënyrë antikulturore atmosferën turistike të vlerave historike të Lezhës të mirënjohura në sytë e interesit ndërkombëtar”. Për Frashërin “është e njëjta vepër penale për nga karakteri i shkeljeve juridike, por në përmasa edhe më të stërmëdha, agresioni i pashembullt i ndërtimeve të reja mbi pasurinë arkeologjike “24 karatësh” të Durrësit, duke zgavruar gropa të mëdha ndërtimi për hedhjen e themeleve të pallate mbi zonën A dhe zonën B, pa kryer asnjë lloj gërmimi dhe dokumentimi arkeologjik. Është koha për të gjykuar, shkaktarët e kësaj vepre penale të përmasave kombëtare me në krye [ish-] Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe dy “fëmijët” e saj, Institutin e Monumenteve të Kulturës dhe Këshillin Kombëtar të Arkeologjisë”. Arkeologu i njohur rekomandon që “ndërtimet në Durrës në zonën A dhe B duhet të ndalohen menjëherë, në mënyrë absolute. Nëntoka e këtyre dy zonave përmban një pasuri të nivelit të qytetit antik të Pompeit para erës së re dhe më tej të Romës në shek. 1 para erës së re deri në shek. 2 të erës së re. Me sa kam pasur fuqi i kam denoncuar në tre vjetët e fundit, hapjen e gropave masive e të thella të ndërtimit në këto dy zona, për ndërtimin e pallateve pa kuptim”. Frashëri thotë se “Durrësi ka vend dhe hapësirë sa të duash për ndërtime të reja, pa qenë nevoja për të zbrazur nëntokën arkeologjike të mbushur me tempuj ilirë, helenë e romakë, forume romake, bazilika gjigante bizantine me mozaikë përrallorë, etj, dhe për t’i hedhur të gjitha këto xhevahire të kombit në plehrat arkeologjike të fushave të Shkozetit”.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





