ITALI, 17 shkurt 2013 – Kryetari i Frymës së re Demokratike, Bamir Topi ka qenë i pranishëm këto ditë në Itali për të zyrtarizuar në vendin fqinjë tre dege të kësaj partie në komunitetin shqiptar atje. Sipas FRD-së janë themeluar degë të kësaj partie në tre qytete italiane Firence, Lucca dhe Siena.
Në takimet me simpatizantë të FRD-së Topi u shprehu mirënjohjen gjtihë emigrantëve shqiptarë për kontributin që kanë dhënë në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Ai theksoi se FRD do të angazhohet me të gjitha forcat dhe mundësitë e saj për ngritjen e një ministrie posaçërisht për emigracionin për t’u marrë me problematikat e emigrantëve.
Bamir Topi ftoi emigrantët shqiptarë kudo që ndodhen për të qënë aktivë në zgjedhjet e 23 qershorit dhe të marrin pjesë masivisht në votime në funksion të demokracisë shqiptare dhe rotacionit politik.
Në kuadër të vizitës së tij në vendin fqinjë, kryetari i FRD-së Bamir Topi, i ftuar nga drejtori i departamentit të studimeve strategjike dhe ndërkombëtare në Universitetin e Firences Profesor Luçiano Boco, ka mbajtur një leksion të hapur me studentët dhe pedagogët e Universitetit të Firences. Tematika e trajtuar në takim ishte “5 vjet nga pavarësia e Kosovës”.
Gjatë kumtesës së tij Topi vlerësoi heroizmin e Ushtrisë Clirimtare të Kosovës maturinë e liderëve Kosovarë si dhe rolin vendimtar të NATO-s dhe SHBA-ve për ndihmën dhe mbështetjen në funksion të pavarësisë së Kosovës. Duke folur mbi të ardhmen e shqiptarëve në rajon kryetari i FRD-së tha se shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë duhet ta shohin të ardhmen e tyre të përbashkët në Bruksel.
Shoqata e studentëve shqiptarë të Firences i dha titullin President Nderi Bamir Topit në shenjë vlerësimi.