TIRANE – Fryma e Re Demokratike reagoi në lidhje me akuzat e kryeministrit Berisha në drejtim të ish-presidentit Bamir Topi. Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, kreu i FRD-së i kërkon publikisht kryeministrit të bëjë publike dokumentet që pretendon se vërtetojnë akuzat e tij për lejet e ndërtimit, duke e paralajmëruar se në të kundërt do të përballet me drejtësinë me akuzën e shpifjes dhe abuzimit me detyrën. 

“Kryeministri në ikje Sali Berisha, i trembur nga vota popullore kundër tij dhe verdikti qytetar i 23 qershorit kundër modelit të tij spekullues e baltosës, deklaroi sot se kryetari i FRD-së Bamir Topi ka marrë tri lejë ndërtimi nga ish-kryetari i Bashkisë Tiranë. I frikësuar nga kritikat në rritje perëndimore, nga zhgënjimi masiv qytetar, nga mosmbajtja e premtimeve, gjendja e vështirë ekonomike si dhe nga rritja e dukshme politike e Frymës së Re Demokratike kryeministrit në ikje nuk ka më çfarë ofron për qytetarët përveçse metodat që ai njeh e praktikon më mirë, baltosjen, fyerjen dhe denigrimin ndaj kundërshtarëve dhe kritikëve politikë.”- thuhet në deklaratën e FRD-së. 

Sipas FRD-së, “Bamir Topi është një nga qytetarët politikanë që nuk ka marrë ende as të drejtat e pronësisë familjare të trashëguara dhe që njihen nga ligji, ndërkohë që vetë kryeministri dhe oborri i tij përfaqësojnë shtresën e re të pronarëve të rinj të pushtetit, të krijuar kryesisht për shkak të vendimmarrjes klienteliste familjare dhe politike.” 

Në mbledhjen e sotme të KKRTSH-së, kryeministri Berisha akuzoi ish-presidentin Topi se shiti karrigen e kryetarit të shtetit, për të përfituar 3 leje ndërtimi nga ish-kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama.