TIRANE, 20 shkurt 2013 – Rinia e FRD-së në një deklaratë për mediat ka akuzuar sot politikën e vjetër për mos përmbushjen e ëndrrave studentore, 22 vite pas rrëzimit të bustit të diktatorit Hoxha.

“Ata që erdhën nga zyrat e Ramiz Alisë drejtojnë prej dy dekadash partitë politike dhe vendin, duke shfaqur të njëjtat mentalitete e metoda drejtimi si ato të periudhës së fundit komuniste. Sot 22 vjet më vonë Shqipëria nuk ka më buste diktatorësh, por buste të reja që mbajnë peng të ardhmen e saj. Sot Shqipëria është ende jashtë Evropës. Politika e vjetër dhe konflikti personal për pushtet mban peng vendin, mban peng integrimin dhe mban peng ëndrrën studentore “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”- thuhet në deklaratë.

Sipas të rinjve të Frymës së re Demokratike vendin e Byrosë Politike të mëparshme e ka zënë kryesia e partisë në pushtet.

“Qeveria kërkon mandat të tretë dhe premton punësim të rinisë, por prej vitesh ajo e ka braksisur rininë, papunësia është në rekorde maksimale, varfëria është në çdo tryezë familjare pa pushtet dhe se rinia ashtu si më 1991 është masivisht kundër qeverisë. Me 23 qershor vota e saj masive do të bëjë ndryshimin, duke rrëzuar bustet e vjetra e të reja që pengojnë të ardhmen tone. FRD beson tek rinia, te forca e saj morale e politike, tek energjitë dhe aftësia për të marrë vetë fatet e vendit në dorë. Si 22 vjet më parë edhe sot rinia është forca e ndryshimit. Koha nuk është për buste të reja, koha është për shtetin dhe qytetarët”- përfundon deklarata.