TIRANE, 9 maj 2013- Sekretari politik i Frymës së Re demokratike, Afrim Krasniqi, lajmëroi dje largimin e tij nga kjo parti, pasi nuk ishte përshirë në listat e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. Nëpërmjet një postimi në faqen e tij në rrjetin social “Facebook” Krasniqi argumenton largimin e tij me faktin se nuk u bë pjesë e ekipit të FRD-së në listat e kandidatëve, gjë që sipas tij nuk përputhet me standardet demokratike që ai beson.

“Dëshiroj t’ju vë në dijeni se në rrethanat specifike që lidhen me zhvillimet e brendshme në FRD dhe faktit se nuk u gjet dakordimi për përfshirjen në listën zyrtare të kandidimit, e gjykoj të arsyeshme dhe morale të mos jem edhe më tej në funksionin e sekretarit politik të Frymës së Re Demokratike. Ky vendim personal dhe korrekt për standardet e demokracisë që unë besoj dhe ndjek, natyrisht cënon dhe as nuk vë në diskutim angazhimet e mia të mëtejshme politike në FRD dhe në fushatën për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit”, – theksoi Krasniqi.

Pritet dhe largimi i nënkryetarit Biberaj

Përveç ish-sekretarit politik të FRD-së edhe nënkryetari i saj Aleksandër Biberaj pritet që të marrë të njëjtën nismë si Krasniqi, pasi edhe ky nuk është pjesë e listave për kandidatë për zgjedhjet e 23 qershorit, por deri tani Biberaj nuk ka dhënë asnjë deklaratë publike për largimin e tij të mundshëm nga kjo parti politike.