TIRANE – Drejtoresha e departamentit të çështjeve sociale në FRD, Edlira Seferi deklaroi në një konferencë për mediat se “konflikti politik ka lënë në hije çështjet të cilat prekin çdo ditë jetën e qytetarëve, siç janë edhe politikat e munguara të punësimit, lufta kundër korrupsionit dhe varfërisë, politikat sociale detyruese të shtetit apo aspekte të tjera të dialogut dhe kohezionit social”.
Sipas Seferit, qeveria ka dështuar me politikat e punësimit, duke mos mbajtur premtimet e bëra gjatë zgjedhjeve të 2009-ës.
“Më 2009 partitë në pushtet premtuan mbi 200 mijë vende të reja pune. Pas katër vitesh të dhënat zyrtare dëshmojnë se jo vetëm nuk ka rritje, por ka rënie të mëtejshme të nivelit të punësimit. Premtimi për të tërhequr në vend një numër të madh specialistësh të kualifikuar shqiptarë të arsimuar në universitete prestigjioze ndërkombëtare gjithashtu rezultoi eksperiment i dështuar. Premtimet për kontrata të punësimit sezonal në vendet e tjera të Bashkimit Evropian kanë pasur të njëjtin fat. Për ta plotësuar tablonë e bilancit negativ në politikat e punësimit le të përmendim këtu edhe problemet e mëdha me sistemin e sigurimeve shëndetësore e shoqërore, problemet në njohjen e viteve të punës dhe kontributit të emigracionit, problemet e statusit dhe të drejtave të punonjësve në sektorin privat si dhe natyrën partiake të selektimit të tyre në administratën publike”,- deklaroi Seferi.
Fryma e Re Demokratike bën të ditur se me asistencën e disa prej ekspertëve më të mirë në fushën sociale, ka përgatitur një program konkret politik social, i cili do të jetë prezent në dialogun me qytetarët në çdo qytet e komunë të vendit.
“Për ne, punësimi mbetet përparësia kryesore, baza për një ekonomi funksionale e të qëndrueshme, kontrata më e ndershme me qytetarin dhe garancia se demokracia sociale funksionon për të gjithë, pavarësisht teserave partiake, lidhjeve personale me pushtetin apo statusi shoqëror. Hapi i parë për jetësimin e platformës tonë mbetet 23 qershori dhe nevoja që qytetarët të ndëshkojnë me votë premtimet e pambajtura dhe të mbështesin vizionin modern për qytetarin dhe shtetin”,- u shpreh Seferi.