TIRANE– Partia Fryma e Re Demokratike e ish-presidentit Bamir Toli kritikoi sot përdorimin e administratës publike për politikë nga ana e qeverisë dhe partisë në pushtet duke e konsideruar një peticion kundër kreut të Opozitës Edi Rama si “një nismë e ngjashme me Vullnetarët e Enverit më 1991.”

Sekretari për burimet njerëzore dhe shefi i departamentit tw administratws publike në FRD z.Andi Seferi tha:

“Në kundërshtim me statusin e nëpunësit civil dhe statusin e institucioneve të pavarura publike qindra punonjës të administratës publike, punonjës të institucioneve arsimore, shëndetësore, sportive, artistike e kulturore janë detyruar të marrin pjesë në aktivitetet elektorale të pushtetit, si dhe të firmosin peticione të gatshme të ardhura nga zyrat e Partisë Demokratike, në mbrojtje të kryeministrit dhe ambicieve të tij politike, me të njëjtën formë presioni dhe sjellje diktuese populiste si format represive të Vullnetarëve të Enverit më 1991”.

Disa ditë më parë, gazetat pranë qeverisë deklaruan se një peticion është firmosur nga dhjetëra njerëz, për të cilën thanë se janë “intelektualë”, të cilët i bënin thirrje kreut të opozitës Edi Rama të lejojë deputetët e tij të miratojnë bashkë me maxhorancën tre ligje që përbëjnë kritete për përparimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.