Ende nuk ka një datë të saktë se kur do të krijohet dega e kësaj partie në qytetin bregdetar
Një nga forcat më të reja politike, Fryma e Re Demokratike, duket se ka mbetur akoma një parti virtuale e paralajmëruar në një intervistë televizive nga Gazmend Oketa, e promovuar mediatikisht nga disa prej figurave qendrore të saj dhe me një degë të parë të hapur në qytetin e Vlorës. Vetëm kaq në një kohë që zgjedhjet parlamentare nuk janë shumë larg. Duke ju referuar ritmeve të deritanishme të formësimit të këtij formacioni politik, duket se koha nuk do të jetë plotësisht e mjaftueshme për të lançuar një program ambicioz dhe për të synuar një rezultat befasues në zgjedhjet parlamentare të rradhës. Në fakt kjo forcë politike pritej që të thithte në rradhët e saj disa prej figurave të pakënaqura që kanë qenë pjesë e strukturave hierarkike të PD-së bashkë me atë shtresë të elektoratit të djathtë që nuk mund të shkojë kurrë majtas, por që është i pakënaqur me qeverisjen aktuale të mazhorancës, si dhe atë shtresë të mesme që akoma nuk ka besim te forcat aktuale politike që t’u japë votën.
Nuk dihet akoma se sa do të jenë mundësitë që kjo forcë e re, e cila veç objektivave të saj politike, ka përpara dhe sfidën e mos përsëritjes së trajektores që pësuan ish-partitë e vogla që iu rebeluan PD-së. Dihet tashmë që këto forca politike u kthyen në satelit të PD-së, deri sa u shkrinë si akulli në trupin e saj. Ky në fakt ka qenë fati i të gjitha rebelimeve në PD, në një kohë që ndryshe ka ndodhur në kampin e majtë, ku LSI-ja u kthye në një forcë që i rrudhi elektoratin PS-së. Gjithsesi të duket se gjithçka në këtë forcë politike po lëviz ngadalë, ndoshta në mënyrë të maturuar, por pa dhënë një sinjal bindës për mbështetjen konkrete të kësaj force politike. Figura të mundshme potenciale dhe me integritet politik dhe social që mund ta mbështesnin këtë forcë si Bashkim Kopliku etj, akoma nuk janë shprehur hapur në lidhje me përfshirjen në këtë formacion të ri politik. E vetmja deklaratë e z. Kopliku ka qenë se e shikon si një zhvillim pozitiv krijimin e kësaj force politike, por nuk ka konfirmuar ndonjë përfshirje zyrtare në rradhët e saj.
Ndryshe nga sa ishte paralajmëruar për gazetën “Dyrrah” nga njeri prej përfaqësuesve kryesorë të kësaj partie Aleksandër Biberaj, se dega e Durrësit do të ishte e dyta që do të themelohej pas Vlorës, në fakt nuk ka ndodhur kështu. Një javë më pas është deklaruar se Durrësi do të jetë dega e katërt ndoshta pas Vlorës, Shkodrës dhe Lezhës. Nuk dihet nëse rradha ka ndryshuar për faktin se FRD nuk ka gjetur akoma mbështetjen e duhur dhe garancinë e figurave kryesore potenciale që mund ta mbështesin këtë degë në Durrës, apo ka dhe faktorë të tjerë. Sipas z.Biberaj vonesat në krijimin e degës së Durrësit kanë ardhur pasi z.Oketa me modestinë që e karakterizon ka dashur që të hapen në fillim disa degë të tjera në jug dhe veri të Shqipërisë dhe më pas dega e Durrësit. Gjithsesi gjithçka mbetet për t’u parë. Deri tani jemi në kuadrin e virtualitetit dhe prezantimit mediatik, por jo të një faktorizimi që mund të sillte një impakt në zgjedhjet e ardhshme elektorale. Pak veta në Durrës e dinë vendin ku do të jetë selia e FRD, apo ndonjë emër tjetër veç Gazmend Oketës si figurë vizionare e kësaj force politike në qytetin bregdetar.