TIRANË, 18 prill 2013 – Fryma e Re Demokratike mblodhi sot ekspertë si dhe përfaqësues të grupeve të interesit dhe të shoqatave jo qeveritare për të diskutuar rreth programit të partisë për punësim e çështje sociale.
E zhvilluar nën moton "Mirëqenie sociale – vlerë qytetare – dinjitet njerëzor", tryeza u përqendrua në synimet e FRD-së për të rritur punësimin, kujdesin për grupe të veçanta e specifike të shoqërisë, për barazinë gjinore, për të drejtat e fëmijëve, si dhe kujdesin për shtresat në nevojë.
Sekretari i Përgjithshëm i FRD-së, Gazmend Oketa, u shprehu të pranishmëve rëndësinë që FRD i ka kushtuar çështjeve sociale duke vënë në dukje sloganin e saj, i cili është “Për shtetin dhe qytetarët”.
Çështjet sociale tha Oketa janë pasqyrë e dinjitetit të shtetit dhe shteti duhet ti vendos burimet financiare në shërbim të qytetarëve dhe grupeve të interesit. Ai tha se situata ekonomike është e tillë ku borxhi publik rritet çdo ditë dhe shërben për të shlyer borxhet e qeverisë për pagat.





