TIRANË, 10 tetor 2013 – Lajmet që vijnë nga Korça mbi fushatën zgjedhore të 3 nëntorit 2013 për kryetar bashkie, flasin për një dështim të ri të mundshëm të opozitës së re, kjo dhe për shkak, sipas disa medieve, edhe të mosmarrëveshjeve midis ekipit, që ka dërguar kreu i PD-së Lulzim Basha, dhe strukturave vendore. Kjo ka bërë që PD-ja të përdorë politikisht KQZ-në e cunguar dhe të “dëbojë” nga gara kandidaten e FRD-së Brikena Zeneli (në foto). Jo se fiton FRD-ja, por ajo i heq vota PD-së, duke thelluar dukshëm disfatën e mëparshme ku fitoi PS-ja, atëherë në opozitë. Ri-humbja e qytetit juglindor nuk është ndonjë tragjedi për Bashën, por në sfond të zhvillimeve aktuale politike, do të ishte një goditje e rëndë ndaj reputacionit të tij si lider. Atij i duhet një humbje e ngushtë, që të ankohet për parregullsi. Këto zgjedhje ndërlikojnë situatën brenda partisë së parë antikomuniste në proces organizimi dhe zgjedhjesh në degët dhe seksionet e saj. Situata do të përkeqësohej nëse kryeministrit Edi Rama i teket të zbatojë ligjin dhe të organizojë zgjedhje të reja për këshillat bashkiakë të paligjshëm të Tiranës dhe Durrësit, kur PD-ja nuk ka më aleate LSI-në. Një shqelm i fuqishëm, ku nuk mund të parashikohen dot pasojat. Parë në këtë plan, veprimi i PD-së me anë të KQZ-së kundër FRD-së është i “përligjur”. Nga ana tjetër, bien në sy dhe tonet e moderuara të reagimit të 10 tetorit të FRD-së ndaj vendimit të KQZ-së. Duumvirati i lidershipit të FRD-së, Bamir Topi-Gazmend Oketa, kanë shmangur sulmet nominale ndaj atij të PD-së Sali Berisha-Lulzim Basha. Topi-Oketa përdorin lojën e togfjalëshave “KQZ-ja e PD-së, dhe PD-ja e KQZ-së”. Këto janë etiketimet më të “egra”. Gjithsesi, këtu nuk kemi të bëjmë me etikë, por thjesht, sikurse është aluduar në lajmet e medieve, lihet një shteg i ngushtë për bashkëpunim në të ardhmen mes Bashës dhe Topit, si “tironas” zamani që janë. Për lexuesin po botojmë deklaratën e plotë të FRD-së.
Dokumenti
Dje [më 9 tetor 2013 – “Dyrrah”-u] Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori një vendim, i cili për ne dhe opinionin publik do të përbënte lajm, nëse do të ishte një vendim ndryshe. Dje KQZ-ja, i cili punon me vetëm katër anëtarë nga shtatë që duhej të kishte, vendosi të zbatojë urdhrin politik të PD-së për të hedhur poshtë vendimin e KZAZ-it Korçë, dhe larguar nga gara për zgjedhjet për bashkinë Korçë, kandidaturën e FRD-së, znj. Brikena Zeneli. Me këtë akt primitiv, KQZ-ja e PD-së, dhe PD-ja e KQZ-së, nuk bëjnë gjë tjetër veçse një sulm politik jo vetëm ndaj një force politike të qendrës së djathtë, por bëjnë një sulm ndaj pluralizmit politik në Shqipëri. Klima armiqësore nga ana e PD-së përkundrejt FRD-së, për ne nuk shënon një ngjarje të re. Që nga themelimi i FRD-së, e deri ditën e lënies së pushtetit, strukturat e qeverisë që u largua kanë punuar më së shumti për dëmtimin e FRD-së se për të merituar mbështetjen e qytetarëve. PD-ja, forca politike e cila u themelua 23 vite më parë pikërisht për të sjellë dhe garantuar pluralizmin politik, sistemin demokratik, konkurrencën politike në zgjedhje të lira e të ndershme, bëhet sot forca politike, e cila i trembet një gare elektorale dhe kërkon të kthejë një situatë gati të ngjashme me atë të para viteve ’90, ku në garë kishte vetëm një parti. Me këtë akt, PD-ja dëshmoi dhe një herë se ajo i është larguar përfundimisht çdo parimi demokratik, se ajo kontrollohet nga një klan i ngushtë që e përdor atë thjesht për pushtet dhe interesa ekonomikë dhe se ajo nuk mundet më të përfaqësojë ashtu siç duhet të djathtën shqiptare. Tani që PD-së, i mungojnë instrumentet shtetërore për të ushtruar presion mbi votuesit për të mos votuar FRD-në, kërkon ta largojë frikën dhe pasigurinë e saj në këtë proces, duke larguar nga gara me një vendim të urdhëruar politikisht, kandidaturën e një zonje e cila ka marrë mbështetjen e qytetarëve korçarë për të konkurruar në zgjedhjet e 3 nëntorit. FRD-ja do të ndjek të gjitha procedurat e parashikuara në Kodin Zgjedhor, duke ankimuar vendimin e KQZ-së, pranë kolegjit zgjedhor. Ne besojmë se Kolegji Zgjedhor do të marrë një vendim i cili i shërben interesit publik dhe jo atij të një partie e cila i trembet një gare elektorale. Së fundmi, FRD-ja rikonfirmon dhe një herë angazhimin e saj për të qenë një parti e moralit politik, parti, e cila beson se vetëm nëpërmjet parimeve demokratike, garës së ndershme, ofrimit të alternativave në funksion të interesit të qytetarëve, ajo mbetet dera e hapur e të gjithë atyre të cilët ndjejnë detyrimin dhe përgjegjësinë për të kontribuar për shtetin dhe qytetarët.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





