TIRANË – Grupi rinor i Frymës së Re Demokratike(FRD) në 5 vjetorin e pavarësisë së Kosovës i bën thirrje pesë vendeve të Bashkimit Evropian: Spanjës, Sllovakisë, Greqisë, Rumanisë dhe Qipros që ta njohin sa më shpejt pavarësinë e Kosovës, sepse vetëm kështu ata kontribuojnë realisht në forcimin e paqes, sigurisë dhe demokracisë në Kosovë dhe në rajon. 

Në një deklaratë për shtyp, përfaqësuesit rinorë të FRD-së shprehen se çdo praktikë bllokuese dhe refuzuese i shkon përshtat skenareve të kundërta, me pasoja për qytetarët tanë dhe për vetë Evropën e Bashkuar. 

"Në emër të grupit rinor të FRD-së i shprehim urimet më të mira shtetit të Kosovës në 5 vjetorin e shpalljes zyrtare të pavarësisë. Kosova sot është shteti më i ri në Evropë, por edhe shteti me popullsinë më të re. Kosova ka sot miq të shumtë në mbarë botën, ajo është njohur nga 98 vende dhe është krenare për mbështetjen e jashtëzakonshme të dhënë nga SHBA dhe shumica e vendeve të BE-së". 

Gjithashtu, deklarata e të rinjve të FRD-së i bën thirrje politikanëve shqiptarë të ulin tonet nacionaliste, sepse vetëm kështu do ta ndihmojnë Kosovën të jetë një shtet i konsoliduar dhe të lerë pas konfliktet e brendshme etnike. 

Sipas tyre rruga e vetme e Shqipërisë dhe e Kosovës është rruga drejt BE-së dhe në këto momente akti më patriotik për politikën shqiptare është lobimi për njohjen e Kosovës shtet nga vendet e Bashkimit Europian dhe më gjerë.