Kryetari i zgjedhur i Bashkisë Himarë, zoti Fredi Beleri, ka bërë një deklaratë gjatë seancës së sotme gjyqësore.
Beleri tha se trupi gjykues po e trajton atë ndryshe, nuk pranon asnjë kërkesë të tij dhe i drejtohet avokatëve të tij me tone të larta. Ai pretendoi se trupi gjykues po tregon haptazi njëanshmëri.
Beleri kërkoi nga trupi gjykues që të bëjë shpejt atë që duhet “bërë”, pasi ai nuk pret më drejtësi nga gjykata dhe ndjehet i pambrojtur përballë një shteti të tërë.
Deklarata e kryetarit të zgjedhur të Bashkisë Himarë, z. Dhionisios Fredi Beleri, gjatë seancës së sotme gjyqësore drejtuar trupit gjykues:
“Fatkeqësisht, kundrejt meje duket qartë se është vendosur një mur i pakapërcyeshëm si nga qeveria, ashtu dhe nga policia, gazetarët, prokuroria dhe nga ju gjyqtarët. Po tregoni në çdo seancë se jeni duke më trajtuar ndryshe. Deri më sot nuk keni pranuar asnjë kërkesë të mbrojtësve të mi. Përkundrazi, po pranoni gjithçka kërkojnë prokurorët, madje, në disa raste u jeni drejtuar avokatëve të mi me tone të larta. Haptazi po tregoni njëanshmëri.
Lidhur me dëshminë e penalitetit dëshiroj të theksoj se prej vitit 2019 e deri më sot, në këtë moment, e vetmja që ka ndryshuar dhe doli “ndryshe” ishte dëshmia e datës 12 maj, dmth ditën që në mënyrë të paligjshme u krye arrestimi dhe në vijim paraburgimi im. Njeriu i mençur e pranon gabimin e tij, dinaku e justifikon, ndërsa budallai këmbëngul në marrëzinë e tij, në paranojën e tij.
Meqenëse, fatkeqësisht, nuk pres më drejtësi nga kjo gjykatë, pasi tashmë ju e keni vendosur të më dënoni, ju lutem që të paktën se atë që “duhet” të bëni, bëjeni shpejt. Në këtë gjykatë ndihem i vetëm dhe i pambrojtur përballë një shteti të tërë”