Gjykata e Apelit la ditën e sotme në fuqi vendimin e Shkallës së Parë që dënoi Fredi Belerin me 2 vite burg për korrupsion në zgjedhje, duke e privuar në këtë mënyrë nga marrja e mandatit të fituar më 14 Maj.

Për këtë vendim, ka ardhur edhe një reagim nga Ministria e Jashtme e Greqisë.

Nëpërmjet një njoftimi zyrtar, Athina kërkon nga autoritetet shqiptare që Beleri të lejohet të bëjë betimin në Parlamentin Evropian, pasi ai u zgjodh eurodeputet i partisë Demokracia e Re në Greqi.

“Greqia që në fillim, kishte shprehur shqetësimin dhe reflektimin e saj për shumë aspekte të çështjes lidhur me ndjekjen penale të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleris.

Në veçanti, rezervat lidhur me cenimin e prezumimit të pafajësisë, natyrën e provave të paraqitura, zbritjen e dënimit të tij, shqiptimin e një dënimi joproporcional dhe heqjen e së drejtës së tij për të bërë betim, me rezultat që Bashkia e Himarës administrohet prej një viti nga persona që nuk kanë legjitimitet demokratik.

Vendimi i sotëm i Gjykatës së Apelit Tiranë vjen në mbështetje të këtyre shqetësimeve për nivelin e shtetit ligjor dhe mbrojtjen e minoriteteve në Shqipëri.

Beleri sot nuk është vetëm kryetar i zgjedhur i Bashkisë së Himarës. Ai është gjithashtu anëtar i zgjedhur i Parlamentit Evropian. Është, pra, një detyrim i autoriteteve shqiptare që të marrin të gjitha masat e nevojshme për t’i dhënë atij mundësinë për të marrë pjesë në punimet e Parlamentit Evropian, duke filluar nga betimi i tij, korrikun e ardhshëm”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme.