TIRANË, 18 qershor 2013 – Thellohet korrupsioni në Shqiperi, ndërsa vendi ynë vijon të ketë probleme me qeverisjen demokratike dhe pavarësinë e gjyqësorit. Raporti më i fundit i organizatës i Freedom House, “Vendet në Tranzicion 2013” tregon një rënie të treguesve kryesorë të demokracisë në Shqipëri. 

Sa i përket korrupsionit, Shqipëria ka shënuar rënie ndërsa raporti vë theksin tek rezultatet ende të dobëta për shkak të mungesës së vullnetit politik dhe mos forcimit të institucioneve. Po kështu raporti ngre shqetësimin për rritjen e rasteve të pandëshkueshmërisë në çështjet e korrupsionit në nivel të lartë si dhe mungesa e inspektimeve në sistemin arsimor, duke kujtuar skandalin e falsifikimit 

Sa i përket qeverisjes demokratike në nivel qëndror, organizata e konsideron 2012-ën, vit të konsolidimit të pushtetit të kryeministrit Berisha dhe PD-së, pas konflikteve institucionale të 2011-ës, çka e lejoi kreun e qeverisë të heqë kundërshtarët e tij nga postet kyçe dhe ti zevëndësojë ata me të përzgjedhurit e tij. 

Por ndërkaq treguesit e përgjithshëm ekonomikë sipas raportit, kanë shënuar rënie si rezultat i përpjekjeve për privatizimin e kompanive kyçe dhe dobësimin e investimeve të huaja direkte. 

Ndërkaq, pavarësisht se treguesi i pavarësisë së gjyqësorit ka mbetur i pandryshuar, raporti i FH ngre shqetësimin se institucionet gjyqësore në Shqipëri vazhdojnë të vuajnë nga presioni dhe ndërhyrja politike. Disa reforma në sistemin gjyqësor u miratuan gjatë 2012-ës, por forcimi i gjykatave mbetet i dobët, veçanërisht nga institucionet shtetërore”-thuhet në raport, i cili kujton se motivet dhe autorët e vrasjes së gjykatësit, Skerdilajd Konomi në Vlorë mbeten ende të panjohura.

Lidhur me proceset elektorale, raporti i FH vë në dukje mungesën e përfshirjes së partive të vogla në ndryshimet e Kodit Zgjedhor dhe mos reformimin e legjislacionit pavarësisht thirrjeve nga organizmat ndërkombëtare. 

Raporti vlerëson gjithashtu se sektori i shoqërisë civile vijon të jetë relativisht i dobët në disa aspekte pa mundur të ndikojë në vendimarrje. Po kështu sindikatat janë të dobëta përballë trysnisë së autoriteteve dhe kompanive private. Megjithatë raporti përmend disa shenja të rritjes së aktivizimit civil përgjatë 2012-ës, me protestat e ish-të përndjekurve politikë dhe fushata kundër importit.

Ashtu si treguesi i shoqërisë civile edhe ai për lirinë e medias mbetet i pandryshuar, falë një mjedisi më të qëndrueshëm politik gjatë vitit 2012, ku nuk u vunë re konfrontime të rënda mes autoriteteve dhe gazetarëve. 
Raporti përmend edhe heqjen e dënimit me burg për veprën e shpifjes, ndërsa përmend largimin e të vetmi grup ndërkombëtar mediatik në Shqipëri, gjermani WAZ. 

Në vija të përgjithshme raporti vë në dukje se ekziston një klimë e ashpër politike në Shqipëri, e cila është përkeqësuar që pas zgjedhjeve të 2009-ës. Sipas organizatës retorika e ashpër ka ndikuar fort në zhvillimet politike dhe institucionale në vend.

Raporti vë në dukje edhe faktin se Shqipëria ka rënien më të madhe në rajon të parametrave të demokracisë në 5 vitet e fundit. Vendi ynë bashkë me Kosovën, Bosnje Hercegovinën dhe Maqedoninë, kanë shënuar rënie shqetësuese të treguesve demokratikë në rajon. Korrupsioni në vendet e Ballkanit sa vjen dhe thellohet pavarësisht presionit nga BE, dhe institucioneve ndërkombëtare. 

Në mbarë rajonin, interesat politike dhe lidhjet personale mes qeverisë dhe biznesit influencojnë rregullisht tenderat publikë dhe procedurat e privatizimit. Ndërsa gazetarët, veçanërisht ata që mbulojnë krimin e organizuar dhe korrrupsionin përballen me presion politik dhe sulme. 

Ballkani 

Sipas ketij raporti, vendet në Evropën Qendrore dhe Azinë Qendrore janë gjithnjë e më shumë duke u sunduar nga qeveri autokratike, të cilat kanë pak konsideratë për demokracinë.

Analiza vjetore e zhvillimit demokratik nga Evropa Qendrore në Azinë Qendrore vë në pah se ka pasur “përkeqësim shqetësues” të kushteve për shoqërinë civile në gjithë Euro-Azinë. 

Në pjesën për Ballkanin thuhet se korrupsioni në këtë rajon ka vazhduar të thellohet, pavarësisht presionit nga Bashkimi Evropian dhe institucionet ndërkombëtare për të forcuar pavarësinë e gjyqësorit dhe për të sjellë vendime për rastet e profilit të lartë. 

“Gazetarët, sidomos ata që mbulojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin, përballen me presion politik, kërcënime dhe sulme. Si dëshmi të këtyre vendeve numërohen Shqipëria, Bosnja dhe Kosova”, thuhet në raport, raporton Rel. 

Sipas tij, rënie në Kosovë kanë shënuar edhe kushtet për shoqërinë civile. 

Sa i përket kornizës gjyqësore, raporti thekson se Kosova ka shënuar përmirësime në vitin 2011, si rezultat i reformave gjyqësore, por “ngjarjet më 2012 kanë sugjeruar se këto ndryshime nuk kanë adresuar dobësitë themelore në sistemin gjyqësor të vendit”.