Roma barazoi 1-1 me Atalantën në “Olimpico” dhe tashmë distanca nga Juventusi kryesues rritet në 8 pikë. Pa Etrit Berishën në portë, që u frenua nga problemet shëndetësore, Atalanta kaloi në avantazh në të 22-ën me sllovenin Kurtic.Roma reagoi me golin e barazimit në të 50-ën me Edin Dzeko, ndërsa edhe fati ishte kundër ekipit të Spalletit, me traversën që i prishi festën e golit të fitores Nainggolan në të 63-ën.
Nga hapi fals i Romës përfitoi Juventusi, që triumfoi 2-0 në fushën e Pescara-s së Ledian Memushajt, me mesfushorin shqiptar që luajti gjatë gjithë ndeshjes.Rotacioni i Allegrit nuk preku sulmin, ku Dybala e Madzukic mbështesnin Higuain. Ishte pikërisht “El Pipita” njeriu i ndeshjes, duke zhbllokuar shifrat në të 22-ën.
Higuain realizoi edhe golin e dytë përpara pushimit ndërmjet pjesëve, duke u ngjitur në kuotën e 23 rrjetave sezonale në garën për golashënuesin më të mirë të Serisë A.Lazio mbetet në vendin e katërt, pas barazimit 2-2 në fushën e Genoa-s. Giovanni Simeone mposhti Strakoshën në të 10-ën dhe kaloi vendasit në avantazh, ndërsa skuadra e Inzaghit u kundërpërgjigj me rrjetën e barazimit nga Biglia, që gaboi penalltinë përballë Lamanna-s, por u tregua i aftë të shtynte në rrjetë topin e mbetur përpara portës.
Goran Pandev ndëshkoi ish-skuadrën e tij për herë të dytë, por Lazio arriti të merrte një pikë të çmuar me golin e barazimit 2-2 nga Luis Alberto në shtesë.