Rritja e kostove në sektorin e ndërtimit është frenuar në tremujorin e parë të këtij viti duke shënuar rritje vjetore me 3,4%, teksa një vit më parë ky ndryshim ishte 5,3%.
Sipas INSTAT krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shpenzime energjie” me 7,5%, pasuar nga grupet “Shpenzime për paga” me 4,4%, “Shpenzime transporti” me 3,7%, “Kosto të tjera” me 2,7%, “Shpenzime materiale” me 2,5% dhe “Shpenzime makinerie” me 1,5%.
Brenda grupit “Shpenzime materiale”, indeksi i nëngrupit “Materiale ndërtimi” shënoi rritjen më të lartë prej 2,6%, pasuar nga grupet “Materiale hidro-sanitare dhe ventilimi” 2,5% dhe “Materiale elektrike dhe komunikimi” me 2,1%.
Indeksi i Kushtimit në Ndërtim shënoi rritje me 0,5% krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2023.
Rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Kosto të tjera” me 1,2%, pasuar nga grupet “Shpenzime energjie” me 1,1%, “Shpenzime për paga” dhe “Shpenzime transporti” me 0,8% secili, “Shpenzime makinerie” me 0,4% dhe “Shpenzime materiale” me 0,1%.
Indeksi i Kushtimit në Ndërtim (për Banesa) (IKN) duke filluar nga tremujori i parë 2024 do të llogaritet me bazën e re.
Tremujori i katërt 2021 do të shërbejë si periudhë bazë për llogaritjen e indeksit (tremujori i katërt 2021 = 100).
IKN mat ecurinë e çmimeve të materialeve të ndërtimit, të fuqisë punëtore dhe të shpenzimeve të tjera kapitale që përdoren në ndërtimin e një banese tip (8 – 10 kate) dhe është një tregues i rëndësishëm ekonomik për sektorin e ndërtimit.
Peshat e shportës së materialeve janë llogaritur duke u bazuar në preventivat e shpenzimeve për ndërtimin e një banese shumëkatëshe marrë nga firmat e ndërtimit.
Shporta e re përbehet nga 71 zëra nga të cilat 66 janë materiale ndërtimi dhe çmimet për materialet e ndërtimit mblidhen nga 237 distributorë dhe shitës me shumicë të materialeve të ndërtimit.
Ndërsa, të dhënat për shpenzimet për pagat, makineritë dhe transportin merren nga 97 ndërmarrje të mëdha ndërtimi të përqëndruara kryesisht në rrethin e Tiranës. /Monitor/