Zvicra ka vendosur të mbyllë kufijtë hekurudhorë me Italinë, prej frikës së përhapjes së koronavirusit.

Masat e reja lidhen sidomos me kantonin kufitar të Ticino-s, ku situata epidemiologjike paraqitet shqetësuese. Edhe pse është vendosur që baret dhe restorantet në zonë të respektojnë një orar të caktuar, normat kundër infektimit të përcaktuara nga autoritetet italiane nuk janë respektuar dot, e për këtë arsye, kompania federale zvicerane e hekurudhave vendosi që trenat e nisur drejt Italisë të ndalohen në kufi.

Një lëvizje e tillë llogaritet të ketë pasoja të rënda për punonjësit që lëvizin mes Lombardisë dhe Ticinos. Në këtë kanton me 300 mijë banorë, u regjistruan brenda 24 orësh të paktën 116 raste dhe 9 vdekje nga Covid-19. Pozitiviteti ndaj tamponit atje është tejet i lartë, 22%, krahasuar me 16,3% që e ka pjesa tjetër e Zvicrës.

Autoritetet shëndetësore shprehen të shqetësuara, sepse gjendja sa vjen e rëndohet duke shtuar trysninë mbi strukturat mjekësore. Njoftimi i kompanisë hekurudhore sqaron se që prej ditës së enjte, trenat do të bllokohen në kufi deri në marrjen e vendimit te radhës.