DURRËS, 16 prill 2014 –  Në vend të tragetit detar – varkë gjoli, meqë kishin frikë se mund të kapeshin në portin e Durrësit, më 14 prill 2014, trafikantët e drogës kanë shkuar në skajin lindor të Shqipërisë, në liqenin e Ohrit / Pogradecit, por u prangosën nga maqedonasit me 300 kg kanabis në zonën midis Linit të Pogradecit dhe Strugës (shih hartën).

Rreth 300 kg kanabis u transportuan me varkë nga brigjet shqiptare të liqenit të Ohrit në drejtim të fshatit Radozhdë të Strugës, shkruan e përditshmja maqedonase “Dnevnik”.

Droga në Maqedoni ishte në zotërim të dy policëve të pikës kufitare maqedonase të Strezimirit.

Ata do ta transportonin deri në qytetin Kavadarci, Maqedonia Lindore, por u diktuan nga policia.

Operacioni u mbështet në informacione paraprake, të siguruara në rrugë operative.

Organizator i kontrabandës ishte edhe një polic.

“Dyrrah”-u po boton një përmbledhje të shkrimit.

Rreth 300 kg marihuanë u transportuan me varkë nga brigjet shqiptare të liqenit të Ohrit në fshatin Radozhda të Strugës. Droga u mor përsipër nga policët Medin dhe Gega të pikës së kalimit kufitar të Strezimirit dhe do të dërgohej në qytetin e Kavadarcit, por plani i tyre dështoi. Ata u kapën në një operacion masiv policor kundër organizatorëve të një trafiku ndërkombëtare droge që vepron në rajon. Kapja e marihuanës afër Radozhdës është sekuestrimi më i madh i drogës i ardhur me varkë nga Shqipëria në Maqedoni.

Aksioni u realizua nga policia liqenore maqedonase dhe inspektorët e antidrogës. Ata morën informacione operative mbi mbërritjen e një sasie të madhe droge. Menjëherë u ngrit pritë në terren. Në vendngjarje një polic nga Kërçova dhe shokët e tij po përpiqeshin të ngarkonin në makinë çantat me 300 kg drogë.

U identifikuan polici Medin L. (33 vjeç) i pikës kufitare të Strezimirit dhe Agim A. (32 vjeç). Në aksion u arrestua dhe organizator i trafikut, polici Gega I. (32 vjeç) gjithashtu ) i pikës kufitare të Strezimirit.

Marihuana e konfiskuar, e cila kishte vlerën e rreth 2 milionë eurove, do të transportohej në qytetin e Kavadarcit, por ndoshta me destinacion narkotregjet e Evropës Perëndimore, shkruan “Dnevnik”-u.

Aksioni i policisë u krye të martën, 14 prill 2014, pasi policia ishte informuar se në afërsi të fshatit kufitar të Radozhdës në Strugë do të kalohej një sasi e madhe droge. Policia ngriti pritë në Ledinjë, në afërsi të fshatit, pasi vërejti nëntë çanta.

– Policët rreth 16:30 panë një makinë me targa të Kërçovës dhe dy persona që iu afruan makinës. Të dy filluan të ngarkojnë çantat në makinë, por policia reagoi menjëherë dhe i prangosi, – tha Ministrja e Punëve të Brendshme Gordana Jankulloska.

MPB-ja theksoi se droga e konfiskuar është e cilësisë së lartë.

Në çanta ishin 206 pako me marihuanë, mbështjellë me natriban me ngjyrë kafe dhe peshonin rreth 300 kg. Polici, i cili u arrestua në flagrancë në postën e policisë, pranoi se ishte marrë vesh paraprakisht me policin Gega të pikës kufitare të Strezimirit, të cilin e instruktoi se ku do të merrte kanabisin dhe që do ta transportonte deri në qytetin Kavadarci. Për transportin do të fitonte 9 mijë euro.

– Policia liqenore është e vetëdijshme se nëpër liqen nëpërmjet varkave kryhet tregti e paligjshme. Prandaj po ushtrohen kontrolle të përditshme intensive për të parandaluar kontrabandën. Kemi bërë shumë aksione kundërdrogë, kemi goditur kontrabandën e cigareve, peshkut dhe mallrave të tjera, por konfiskimi i fundit përfaqëson sasinë më e madhe të drogës me varka të zbuluar në territorin tonë, – thotë policia e Ohrit.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/