Situata e krijuar nga shpërthimi i gripit të shpendëve (H5N8) nuk është e panjohur. Është hera e tretë që në vendin tonë shpërthen gripi i shpendëve (Influenca Aviare). Herën e parë ndodhi në vitin 2006 në fshatin Çukë të Sarandës dhe Pezë-Helmës të Tiranës, ndërsa hera e dytë në vitin 2021, në disa fshatra.
Në të dyja periudhat e mëparshme sëmundja u lokalizua te shpendët e oborreve. Shpërthimi gjatë muajit mars 2022 është rasti më i keq, pasi ngordhjet kanë prekur shpendët e pularive të mëdha dhe ka krijuar një impakt të rëndësishëm në ekonomitë e tyre.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe Institucionet e varësisë thonë se kanë marrë të gjitha masat në mënyrë që sëmundja të mos përhapet më tej, por sa siguri kanë konsumatorët?!
Mjekja veterinere, njëkohësisht zëvendësrektore në Universitetin Bujqësor të Tiranës, prof. asoc. Erinda Lika ka sqaruar për “Gazeta Panorama” disa nga normat që duhen respektuar për të pasur ushqim të sigurt në tryezë, si dhe rrezikun nga kontakti me shpendët e infektuar.
Sa siguri kemi ne në konsumimin e shpendarisë, çfarë mund të konsumojmë dhe çfarë jo?
Agjencitë ndërkombëtare, si Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Organizata Ndërkombëtare e Ushqimit dhe Bujqësisë, kanë deklaruar se konsumi i pulave dhe i vezëve të gatuara me temperatura të larta është i sigurt, sepse temperatura e lartë e shkatërron virusin. Por, për të pasur një ushqim të sigurt për konsum duhet të zbatohen të gjitha normat higjienike, si dhe rekomandimet e mëposhtme: blini pulat dhe nënproduktet e tyre vetëm në dyqane të certifikuara dhe me norma të larta higjiene; mos blini pula të gjalla, pasi sëmundja përhapet nëpërmjet shpendëve të gjallë; zgjidhni vezë të freskëta që nuk kanë shenja glasash mbi lëvozhgë; mos blini vezë të cilat kanë lëvozhgën të thyer; pastroni dhe lani këto produkte përpara se t’i gatuani; sigurohuni që temperatura e gatimit të jetë më e lartë se 70 gradë celsius.
Si po menaxhohet situata e gripit të shpendëve, a po ndiqen të gjitha protokollet që kërkohen dhe çfarë duhet bërë më tepër në këtë situatë?
Si rezultat i shpërthimit të gripit të shpendëve, për të minimizuar rrezikun e përhapjes së sëmundjes, janë rritur masat karantinore në ferma. Është kryer groposja e shpendëve të ngordhur dhe realizohen kontrolle rigoroze për praninë e shpendëve të infektuar.
Janë therur në vend të gjithë shpendët e pularisë dhe janë groposur sipas rregullave të mbrojtjes mjedisore. Çdo substancë apo mbeturinë ushqimi shpendësh, që mund të jetë i kontaminuar, është shkatërruar ose trajtuar siç duhet.
Ky trajtim bëhet sipas instruksioneve të veterinerit zyrtar. Janë bërë dezinfektime të lokaliteteve dhe i terrenit të shpendëve të prekur, po ashtu është bërë edhe përpunimi i plehut. Janë dezinfektuar periodikisht mjetet e punës dhe të transportit.
Nga vatra e prekur nuk është lejuar të dalë asnjë shpend. Nëse pulat në një pulari janë therur gjatë periudhës së inkubacionit të sëmundjes, mishi i tyre është konfiskuar. Janë përdorur mjete të përshtatshme dezinfektimi në hyrje dhe dalje të pularive. Janë kontrolluar lëvizjet e personave që manipulojnë pulat, kërkesat e tyre, vezët dhe mjetet e transportit brenda në fermë. Therja e shpendëve është bërë në thertore të caktuara nga Shërbimi Veterinar Shtetëror. Është bërë ndalimi i panaireve, tregtimeve, ekspozitave ose grumbullimeve të tjera të shpendëve e zogjve të tyre.
Si mund të mbrohet individi nga ky virus dhe çfarë rreziku ka kontakti me shpendët e infektuar?
Zogjtë shtegtarë (kryesisht patat dhe rosat) janë mbartësit natyral të këtij virusi dhe si të tillë ata nuk shfaqin shenja të saj. Ata shërbejnë si një mjet për përhapjen e sëmundjes te shpendët shtëpiake që janë shumë të ndjeshëm nga ky virus.
Te shpendët shtëpiake sëmundja shfaqet tepër agresive, çka i çon ata drejt ngordhjes. Pasi sëmuren, shpendët shtëpiake e transmetojnë sëmundjen përmes këtyre mënyrave: përhapja tek njerëzit dhe kafshët e tjera, nëpërmjet kontaktit direkt me zogjtë e infektuar, duke marrë virusin në formën e (aerosol) nëpërmjet qarkullimit në ajër; përhapja e infeksionit te njerëzit nga ambienti i ndotur me glasat e shpendëve të cilat përmbajnë virusin; përhapja nëpërmjet kontaktit me bartës dytësorë ose strehues, siç janë derrat.
Cilët janë personat më të rrezikuar?
Të gjithë personat që janë në kontakt të ngushtë me shpendët mund të preken. Kategoritë më pranë rrezikut janë rritësit e shpendëve, pastruesit e pularive, punonjësit e parqeve natyrore, punonjës të thertoreve të shpendëve, veterinerët e pularive dhe ata që shërbejnë pranë fermave që risin shpendë.
Këshilla dhe sugjerime për fermerët e familjaret që mbarështojnë shpendë, si ta dallojnë këtë sëmundje në kohë tek ata dhe si të veprojnë?
Sëmundja ka disa shenja klinike që shprehen në varësi të shtamit viral, moshës dhe llojit të shpendit. Shtami viral ose fuqia toksike e virusit luan një rol të rëndësishëm në shfaqjen e formave të ndryshme të sëmundjes, nga një formë e lehtë asimptomatike në një formë akute dhe të rëndë me mortalitet të lartë.
Në format klasike shfaqen: mortalitet i lartë e i papritur; ndërprerje e prodhimit; çrregullime në frymëmarrje, gërhitje, jargë; sinusite, edema të kokës dhe fytyrës, cianoze e lëkurës në vendet e zhveshura, sidomos në kafshë dhe sipërfaqe mukozale. Në shpendët e ujit (jo shumë të ndjeshëm ndaj viruseve shume patogjene) shfaqet rritja e dëmtimeve dhe çrregullimeve në frymëmarrje.