21 nëntor 2015 – Alarmi i terrorizmit ndërkombëtar u ka kthyer armët nënoficerëve të Gardës së Republikës, dy vjet pasi Ministria e Brendshme ua kishte ndaluar mbajtjen e armëve në shtëpi.

Me një urdhër të 5 tetorit të vitit 2013, nënoficerët e Gardës nuk lejoheshin më që t’i merrnin me vete armët pas shërbimit. Por me sa duket rreziku që vjen nga terrorizmi ka bërë që vetë krerët e lartë të policisë dhe Gardës të “tolerojnë” moszbatimin e urdhrit të tyre, ndonëse një gjë e tillë mësohet se kishte ndodhur edhe më parë, shkruan sot gazeta “Shqip”.

Në fakt, gjatë kësaj periudhe 2-vjeçare të gjithë efektivët e Gardës, që nuk kanë gradat oficerë, ndonëse ishin të detyruar me rregullore që të dorëzonin armët pas shërbimit, mësohet se në mjaft raste nuk e kanë respektuar totalisht këtë vendim. Sipas gazetës, efektivët janë instruktuar që të reagojnë shpejt përballë çdo rreziku që ata vlerësojnë se është i arsyeshëm dhe evident.

Këto ditë në Tiranë janë angazhuar të paktën 250 efektivë të Gardës së Republikës, të cilët kanë shtuar dukshëm masat e sigurisë. Me rikthimin e armëve pas shërbimit, duket se situata do të jetë më nën kontroll prej këtyre nënoficerëve. Ndërkaq, këtu nuk preken oficerët, pasi ata edhe në të kaluarën e kanë pasur të drejtën e marrjes së armëve pas shërbimit.

/portali DurresLajm/