10 gusht 2015 – Ndodhin rallë, por për fat të keq edhe në futbollin gjerman hera-herës regjistrohen episode të pakëndshme dhune. Në këtë rast, tema e ditës nuk janë vetëm tifozët e jashtëzakonshëm dhe stadiumet e mbushura me kapacitet të plotë, por sulmi ndaj autobusit të skuadrës së Hertha Berlin.
Ndaj automjetit zyrtar të skuadrës kryeqytetase u hap zjarr me armë në qytetin e Bielefeld-it, përpara ndeshjes së Kupës së Gjermanisë me Arminia-n. Sipas dëshmisë së dhënë për mediat nga drejtuesi i Hertha-s, Michael Preetz, në drejtim të autobusit u regjistruan disa të shtëna me armë zjarri, nga një person me motor. Edhe pse plumbat lanë gjurmë të dukshme në xhamin përpara autobusit, shoferi i automjetit, 55-vjeçari Stephan Behrendt, fatmirësisht nuk pësoi lëndime. Shoferi ndali menjëherë autobusin dhe lajmëroi forcat e rendit për ngjarjen.
Sipas të dhënave të para të hetimit, plumbat nuk kanë arritur ta depërtojnë xhamin. Lojtarët nuk ishin në autobus dhe nuk ka asnjë të plagosur, por mbetet mister arsyeja e episodit të dhunës të papritur. Të shtënat ishin të drejtuara drejt xhamit të përparmë të autobusit, që po drejtohej te stacioni i Bielefeld për të marrë ekipin: Hertha e Berlinit kishte zgjedhur trenin për të udhëtuar nga kryeqyteti i Gjermanisë. Klubi i cili denoncoi ndodhinë, i bëri apel ndonjë dëshmitari të mundshëm që të bashkëpunojë me policinë në hetime. Pas ngjarjes tronditëse, edhe klubi i Arminia Beilefeld shprehu solidaritetin me skuadrën nga Berlini.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/