Të paktën 19 persona u plagosën, njëri prej të cilëve rëndë, pas shembjes së një apartamenti në një ndërtesë në Paris, në orët e para të së dielës. Autoritetet kanë hapur një hetim për të përcaktuar shkakun e ngjarjes.
Sipas mediave franceze, zjarrfikësit u alarmuan rreth mesnatës, në orën 00:20, kur një apartament në katin e pestë të ndërtesës në rrugën Amelot u shemb. Në momentin e aksidentit, në apartament po mbahej një festë me rreth 50 persona.
Në vendngjarje u nisën forca të mëdha: 125 zjarrfikës dhe rreth 40 automjete zjarrfikëse.
Personi i plagosur rëndë u gjet i mbuluar nga rrënojat pa ndjenja, por zjarrfikësit arritën ta shpëtojnë dhe ta dërgojnë menjëherë në spital.
Për ngjarjen reagoi edhe kryetarja e Parisit, Anne Hidalgo, e cila shprehu solidaritet me të plagosurit dhe familjet e tyre, duke falënderuar “ngrohtësisht zjarrfikësit, ekipet e shpëtimit dhe shërbimin e mbrojtjes civile për mobilizimin e tyre gjatë gjithë natës”.
Për shkak të shembjes, ndërtesa në rrugën Amelot dhe dy ndërtesa fqinjë u evakuuan parandalueshëm.
Policia e Parisit njoftoi se pas ngjarjes u krye forcimi i katit të katërt dhe kontrolli i plotë i ndërtesës, duke theksuar se struktura kryesore nuk pësoi dëmtime shtesë nga shembja e apartamentit.





