As që mund të imagjinohej kualifikimi në finalet e Botërorit, por ëndrra e Eritresë për të luajtur në eventin madhor venitet ende pa filluar. Federata e Futbollit të këtij vendi ka njoftuar vendimin e saj për t’u tërhequr nga kualifikueset për turneun që do të zhvillohet në vitin 2026 në Kanada, Shtetet e Bashkuara dhe Meksikë. Lajmi është konfirmuar më vonë nga FIFA dhe Konfederata Afrikane e Futbollit. Grupi E, ku bënte pjesë Eritrea, shkon kështu nga gjashtë në pesë ekipe kombëtare.
“FIFA dhe CAF mund të konfirmojnë se Eritrea është tërhequr nga faza paraprake e Kupës së Botës FIFA 2026. Pas tërheqjes së Eritresë, Grupi E kualifikues do të përbëht nga pesë skuadrat e mbetura: Maroku, Zambia, Kongo, Tanzania dhe Nigeria. Të gjitha ndeshjet e Eritresë janë anuluar, ndërsa pjesa tjetër e kalendarit të ndeshjeve të Grupit E mbetet e pandryshuar”. Federata e Futbollit të Eritresë e mori këtë vendim drastik nga frika se, gjatë kualifikueseve, disa lojtarë mund të iknin për të kërkuar azil politik diku tjetër, siç kishte ndodhur tashmë në vitet 2015 dhe 2019. Ndeshja e fundit zyrtare e Eritresë mbetet ajo e shtatorit 2019: humbja 2-0 ndaj Namibisë në një ndeshje të vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2022 në Katar.