16 maj 2015 – Deputeti Mark Frroku gjendet pranë ekipit të zemrës, Tërbunit. Ndonëse ndodhet në ”arrest me burg” ndaluar me kërkesë të drejtësisë belge, Frroku ka gjetur mundësinë të postojë në rrjetin social Facebook. Ai nuk mund të ndodhet në stadium, por është pranë ekipit të tij të zemrës, për të cilin shpreh siguri se do të futet në elitën e futbollit shqiptar. 

“Edhe unë sot jam Ultras: Të gjithë mbështesim Tërbunin!

Të dashur vëllezër, miq dhe mbështetës të Tërbunit! Unë sot jam me mendje dhe me zemër, me djemtë e talentuar të Elvis Plorit. Unë sot jam një Ultras. Unë jam një prej “Shqiponjave të Veriut”. Pamundësia për të qenë sot pasdite në stadiumin “Ismail Xhemali” në Pukë, nuk më pengon për t’u lutur në Zot për fitoren e madhe që na pret këtë të shtunë.
Sot, pas shumë dekadash, skuadra e Tërbunit do të futet në elitën e futbollit shqiptar. Ekipi i mrekullueshëm e ka bërë historinë gjatë gjithë kampionatit, por sot do të bëjë realitet ëndrrën e përhershme të pukjanëve që ekipi i zemrës të luajë në Super-Ligë.Prandaj gjej rastin t’iu bëj thirrje të gjithë pukjanëve, miqve dhe dashamirësve që të bëjnë të njëjtën gjë; të mbështesin masivisht ekipin e tyre, dhe presidencën e Tërbunit. Fitorja është e jona pasi ne nuk kemi humbur kurrë. I juaji Mark Frroku”, përfundon mesazhi i tij.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/