SELANIK, 01 mars 2013 – Biznesmenit Arben Frroku i është komunikuar sot në gjykatën e Selanikut ekzistenca e një urdhër-arresti ndërkombëtar ku rëndon akuza e vrasjes së ish-shefit të Komisariatit nr 6 në Tiranë, Dritan Lamaj.
Ndërkohë biznesmeni është shpallur i pafajshëm për sasinë e drogës që iu gjet në hotel. Vendimi u dha sot gjatë seancës kur u njoh me akuzat në një gjykatë të Selanikut. Seanca gjyqësore zgjati disa orë.
Biznesmeni Arben Frroku do të qëndrojë 40 ditë në paraburgim në pritje që drejtësia shqiptare të dorëzojë dosjen e ekstradimit, në të kundër do të lirohet. I akuzuari për vrasjen e komisar Dritan Lamaj u njoh sot me akuzën, ndërsa mohoi të ketë lidhje me vrasjen. Në një prononcim për News24, lidhur me deklaratat për një kandidim të tij me PS me 23 qershor, biznesmeni thotë se është kristiandemokrat.
Rrëfimi
Ndryshe nga policia që deklaroi se ora e kalimit në doganë ishte 21:45 e mbrëmjes, Frroku theksoi se ka hyrë në Greqi rreth orës 20:00.
“Jam i pafajshëm. Kam kaluar kufirin drejt Greqisë rreth orës 20:00, vrasjen e mora vesh kur isha në doganë, më njoftuan në telefon Ne Hotel kam mberritur rreth ores 24:00. Pasi u njoftova, u thashë se nesër do të kthehem në Tiranë”, tha Frroku në një bisedë që bëri me korrespondenten e BalkanWeb, Anila Jole në Selanik.
Frroku bëri me dije se për gjyqin që po zhvillohet në Selanik, ka një avokat grek.
Lidhur me foton me kryepolicët, Frroku theksoi se ka shumë njohje si në politikë, policia e biznesi, por përjashtoi të ketë njohje me kreun e PS, Rama. Në këtë mënyrë Frroku hodhi poshtë deklaratat e bëra një ditë më parë nga Ministria e Brendshme që deklaronte se Rama i ka propozuar ta bëjë deputet.
“Nuk kam asnjë lidhje me Ramën, unë jam demokristian i pastër” theksoi Frroku.
Frroku mohon se e kanë kapur me drogë dhe armë në hotel.
“Jak Jaku u kap nga dhoma tjetër e hotelit duke konsumuar kokainë. Nuk mbaj përgjegjësi për shtëpinë e tij”.
INTERPOL PUBLIKON FOTON E FRROKUT DHE JAKUT NË FAQEN ZYRTARE
Pasi gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë masën e sigurisë me burg për Arben Frrokun, të dyshuarin kryesor për vrasjen e Kryekomisarit, Dritan Lamaj, mësohet se Interpoli është urdhëruar të nisë procedurat për ekstradimin e tij nga Greqia dhe personit të ndaluar bashkë me të Jak Jaku.
Ndërkohë që sot në faqen zyrtarte të Interpol-it janë publikuar fotot e të dyve, si persona të shpallur në kërkim dhe që pritet të ekstradohen drejt Shqipërisë. Interpol ka lëshuar për këta shtetas një urdhër-arrest ndërkombëtar.
Ndalimi i biznesmenit, Arben Frroku dhe shtetasit, Jak Jaku u bë nga pala greke në territorin e shtetit fqinj në një hotel në Selanik, ditën e hënë ora 14:30. Pas konfirmimit të identitetit, u mor dhe masa e arrestit.
AVOKATI I FRROKUT: KLIENTI IM LIROHET NËSE DOSJA NUK VJEN PËR 40 DITË
Nga Selaniku, avokati i të akuzuarit për vrasjen e komisarit Dritan Lamaj flet për News 24. Ai deklaron se, ‘Klienti im është i pafajshëm’, ndërsa shton se “Arben Frroku erdhi në Selanik se kishte një takim me mua”. Do më takonte mua për çështjen e gjyqit të Sokol Frrokut”, shton avokati.
Mësohet se Arben Frroku do të qendrojë në polici për 40 ditë, në pritje që drejtësia shqiptare të cojë dosjen për ekstradim në Selanik. Sipas avokatit, nëse dosja me akuzën për klientin e tij nuk mbërrin në Selanik për 40 ditë', ai duhet të lirohet.
“Frroku lirohet nëse dosja nuk vjen brenda 40 ditëve. Arben Frroku do të qëndrojë në polici në pritje të dosjes”, tha avokati.
Avokati shtoi më tej se, ai nuk ka të dhëna të sakta për orën kur, klienti i tij ka kaluar kufirin, por nënvizoi se, “Arben Frroku e ka marrë vesh ngjarjen kur ishte duke udhëtuar”.
Mësohet se akuza për gjetjen e sasisë së drogës, 3,5 gramë në hotelin ku u kap Frroku me dy shtetas të tjerë është marrë përsipër nga Jak Jaku, i cili ka thënë se e mbante për përdorim vetjak.





