Tiranë, 12 qershor 2014 – Me replika drejtuar prokurorit Anton Martini ka nsiur seanca e sotme gjyqësore ndaj Arben Frrokut. I akuzuari Frroku i është drejtuar prokurorit duke i thënë se asnjë dëshmitar nuk e implikon dot në vrasje. 

“Dhe 5 mijë dëshmitarë s’më implikon dot në vrasje”- është shprehur Frrkou. Ndërsa prokurori Martini ka kërkuar që Frrokut t’i tërhiqet vërejtje. “Gjykata t’i tërheqë vërejtje Arben Frrokut” – është shprehur prokurori. 

Në seancën e sotme merren në pyetje 4 dëshmitarë. Seanca gjyqësore ka nisur rreth orës 09:30. Arben Frroku akuzohet për vrasjen e Komisar Dritan Lamaj, ish shef i Komisariatit numër 6 në Tiranë.
 
Në seancën e kaluar në ngarkim të Frrokut ka dëshmuar kamarieri dhe një nga klientët e lokalit para të cilit u qëllua Lamaj. Në dëshminë e tij Arlind Aliaj ka pohuar se ishte duke punuar kur ka dëgjuar krisma armësh, por nuk kishte parë gjë. 

“E mbaj mend vrasjen e Lamajt, isha në lokal. Kur ndodhi ngjarja ishte ora rreth 18:30”-ka rrëfyer në seancën e gjyqit dëshmitari Arlind Aliaj. Sipas dëshmisë së tij, Dritani po vinte drejt lokalit në momentin kur u qëllua, ku shumë persona dolën nga lokali dhe i dhanë ndihmën. 

Sipas dëshmitarit, në lokal gjatë momentit që ka ndodhur atentati kanë qenë rreth 20 persona. “Lokali ka kamera, nuk e di nëse i ka marrë policia. Dritan Lamaj u vra te cepi i lulishtes së lokalit”- rrëfeu më tej Arlind Aliaj. Ndërkohë, dëshmitari Armando Myftari, klient në lokal ka rrëfyer se ka qenë duke pirë kafe kur dëgjoi të shtënat. “ Pashë një makinë gri dhe xhamat që u thyen, pas të shtënave, pashë të shtrirë Dritanin. E morëm dhe e dërguam në spital"- tha më tej Lamaj. 

Kryekomisari Dritan Lamaj u ekzekutua me 12 plumba pranë shtëpisë së tij në zonën e "Vasil Shantos", pak metra larg nga apartamenti ku banonte. Biznesmeni Frroku u arrestua në Selanik të Greqisë 24 orë pas ngjarjes së rëndë dhe vetëm pak muaj më parë u ekstradua drejt Shqipërisë. 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/