Teuta ka mundur 1-0 Egnatian në Rrogozhinë dhe është shkëputur më shumë nga zona e ftohtë e klasifikimit. Durrsakëve u është dashur një gjuajtje e saktë e Dacit në pjesën e parë për të marrë tri pikët, pasi ka kaluar thuajse gjithë ndeshjen në mbrojtje të këtij rezultati.Lojtari i ndeshjes, Klejdi Daci, foli për këtë takim. Ai shprehet se tashmë nuk ka kohë për të festuar, pasi fokusi është te Kastrioti, dhe sipas sulmuesit një tjetër trepikësh do të ishte oksigjen për blutë për t’u fokusuar më pas te Kupa.
Sa peshon një sukses i tillë për Teutën në një moment si ky?
Ndodhi në kohën dhe momentin e duhur, mendoj se thjesht kam bërë punën time, është një moment pozitiv, por nuk ka kohë për t’u shijuar, për shkak se kemi ndeshjen e radhës në fundjavë dhe duhet të fokusohemi tek ajo përballje.
Si e shihni sfidën e radhës ndaj Kastriotit, a është momenti për të marrë një tjetër trepikësh dhe të jeni më të qetë?
Sfida me Kastriotin do të jetë si çdo sfidë tjetër, do të luftojmë të gjithë për të marrë tri pikët. Synimi ynë si ekip është që në çdo ndeshje të marrim maksimumin. Do të hyjmë në fushë për të marrë rezultat pozitiv, që do të na jepte qetësi dhe mundësi për t’u fokusuar më tepër tek Kupa.
Çfarë ambiciesh ka Daci me Teutën?
Dëshiroj që të marr sa më shumë minuta, gjithashtu të ndihmoj edhe ekipin me gola. Mendoj se kam shumë mundësi për t’u rritur si futbollist këtu.
Sa gola mendoni se do të shënoni me Teutën tani që keni më shumë hapësira për të luajtur?
Nuk mund të them sa gola do të shënoj, por që çdo ndeshje që do të luaj, do të mundohem ta dërgoj topin në rrjetë.
Kujt ia dedikoni golin e shënuar?
Golin ia dedikoj familjes dhe njerëzve të mi të dashur, që i kam pasur pranë në çdo moment.
Kush është shoku juaj me i ngushtë tek Teuta?
Në një familje nuk bëj dot diferencime, të gjithë janë djem të mrekullueshëm dhe kam gjetur një ambient shumë të qetë dhe mikpritës.
Cilën skuadër europiane simpatizon Daci?
Simpatizoj Barcelonën dhe Mançester Sitin për filozofinë e lojës që kanë.
Keni ndonjë sulmues shqiptar që kërkoni t’i ngjasoni?
Më pëlqejnë shumë sulmues, që i kam ndjekur edhe më herët kur kam nisur futbollin, por me sinqeritet nuk mund të them një emër që e kam pasur idhull.
Po nga futbolli botëror, cili lojtar ju frymëzon?
Të them të drejtën, simpatizoj shumë sulmues si Erling Haland dhe Herri Kejn.
Sa shanse ka Teuta të fitojë Kupën dhe të kapë Europën?
Kemi shumë shanse, çdo gjë është në dorën tonë, sa më shumë të japim, aq më shumë do të marrim. Cilësitë i kemi brenda ekipit. Thjesht na mungon koha së bashku si ekip, pasi ka pasur disa ndryshime edhe në janar.