Vrasja e Darya Dugina në një shpërthim me bombë para syve të babait të saj, që është aleati më i ngushtë i Vladimir Putin, u mor sot përsipër nga ish-anëtari i Dumës së Rusisë, Ilya Ponomarev në emër të një grupi partizan, të quajtur “Ushtria Republikane Kombëtare”.

Ilya Ponomarev pretendon se shpërthimi i makinës së ideologut të së djathtës ekstreme Oleksandr Dugin të shtunën në mbrëmje ishte vepër e grupit që punon brenda Rusisë dhe i përkushtuar për përmbysjen e regjimit të Putinit.

Po media italiane CorrieredellaSerra duke iu referuar agjencisë Tass ka zbuluar se e dyshuar për atentatin me bombë është një shtetase ukrainase, e vendosur në listën e të kërkuarve për ekstradim.

Shtetësja ukrainase është konsideruar përgjegjëse për vrasjen e Darya Dugina nga Shërbimi Federal i Sigurisë së Federatës Ruse (FSB) dhe është përfshirë “në listën e të kërkuarve për ekstradim nga Federata Ruse”.

“Shtetësja ukrainase Vovk Natalya Pavlovna, e cila u zhduk në Estoni pas ekzekutimit të vrasjes së Darya Dugina, do të përfshihet në listën e të kërkuarve për qëllime ekstradimi”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, vetë Vladimir Putin e konsideron vdekjen e Duginës “një krim i poshtër dhe mizor”.

“Një krim i poshtër dhe mizor që preu në mes jetën e një njeriu të shkëlqyer dhe të talentuar. Ajo tregoi me fakte se çfarë do të thotë të jesh patriot i Rusisë”, tha kreu i Kremlinit në një mesazh ngushëllimi për vdekjen e vajzës së ideologut të tij Oleksandr Dugin.

Sa i përket Dugin, ai është shprehur se “vajza ime vdiq si rezultat i aktit terrorist të një regjimi nazist”

“Vdekja e Darya Dugina u shkaktua nga një akt terrorizmi nga regjimi nazist ukrainas. Ajo ishte një grua e bukur ortodokse, një patriote, një reportere lufte, një eksperte e televizionit qendror dhe një filozofe. Na duhet vetëm fitorja. Vajza ime sakrifikoi jetën në altarin e fitores në Ukrainë”, tha ai, teksa kujtonte vajzën e tij.