Policia greke ka sekuestruar 407.6 kilogramë marijuanë që po transportohej me një kamion. Në pranga janë vënë dy shtetas, një shqiptar 38-vjeçar dhe një 30-vjeçar grek. Droga u zbulua me ndihmën e qenit antidroge “Rocky”.

Sipas policisë greke, lënda narkotike po transportohej me dokumente false tregtare, dhe ishte fshehur në disa thasë me oriz. Mësohet se droga kishte destinacion Holandën. Sipas mediave greke, kjo linjë ka trafikuar mbi 1 ton marijuanë në Holandë, Gjermani dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Policia ka sekuestruar drogën me vlerë 4 mln euro, një pajisje përpunimi, si dhe 10.000 euro.

Prej 1 janarit policia greke ka intensifikuar goditjet ndaj drogës pasi e ka quajtur 2018 “Viti kundër drogës”.