16 tetor 2014–  Pas ngjarjeve të shëmtuara në stadiumin “Partizani” të Beogradit, ka reaguar me një qëndrim zyrtar edhe Federata shqiptare e futbollit, e cila ka listuar të gjitha episodet, ku sipas saj kombëtarja kuqezi është dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht nga tifozët serbë, futbollistët kundërshtarë, madje edhe nga forcat e sigurisë. Në këtë reagim shkruhet: FSHF jep përpara opinionit publik, mediave dhe tifozerisë, qëndrimin e saj në lidhje me ndeshjen Serbi-Shqipëri, të ndërprerë pa u mbyllur pjesa e parë e ndeshjes. Është goditur gjatë udhëtimit për në stadium, autobusi i kombëtares. Mjetit lëvizës, iu gjuajtën tre gurë, të hedhur nga tifozet serbë. Para fillimit të nxjemjes nga ana e ekipit tonë, një pjesë e delegacionit zyrtar shqiptar e drejtuar nga presidenti Armand Duka është goditur me një copë betoni, e cila është marrë në dorëzim nga ana e delegatit të UEFA-s.

Në çdo dalje të ekipit shqiptar apo individëve të tij, në fushën e lojës, gjithçka bëhej agresive dhe tejet acaruese nga ana e tifozerisë vendase. Pas përfundimit të nxjemjes, lojtarët janë goditur me një breshëri monedhash, çakmakçsh dhe sendesh të tjera, përpara se të hynin në tunelin e hyrjes në stadium. Për të gjithë periudhën që u zhvillua nxjemja zyrtare përpara ndeshjes, koret fyese prej afro 30.000 zërash me fjalët “vritini shqiptarët” apo “vdekje shqiptarëve” ishin mbizotëruese. Në rrethimin anësor të tribunës së majtë, mbi kangjella ishin me dhjetëra tifozë, të cilët në sytë e policisë, vazhduan të qëndronin të paprekur deri në fund të minutave që u luajtën. Përpara fillimit të ekzekutimit të himneve, banda frymore, ekzekutoi një marsh nacionalist, i cili nuk ishte i përfshirë në programin zyrtar dhe krijonte një emocion të jashtëzakonshëm nacionalist në stadium. Himni kombëtar i Shqipërisë është vërshëllyer masivisht, aq sa ishte i padëgjueshëm për të pranishmit në tribuna dhe TV. Në fushë janë hedhur gurë, sende të forta, çakmakë dhe fishekzjarre, të cilat kanë ndikuar për keq në atmosferën e lojës dhe janë evidentuar  nga pamjet filmike. Tre lojtarët që dolën në nxjemje, pas fillimit të ndeshjes u goditën me sende të forta aq sa zyrtarët e ndeshjes u detyruan që të ndërronin pozicionin e zhvillimit të saj. Në fushë  kanë hyrë civilë dhe kanë goditur lojtarët shqiptarë me grushta dhe karrige. Për më shumë lojtarët tanë janë goditur edhe nga personeli i sigurisë. Gjatë tunelit, që të çon në dhomat e zhveshjes, futbollistët shqiptarë janë goditur vazhdimisht nga tifozë,  forca e sigurisë në stadium dhe policë. Gjithashtu, para se futbollistët shqiptarë të lejoheshin të dilnin nga stadiumi, me urdhër të prokurorit të Beogradit (sipas deklaratës së policisë) i gjithë stafi dhe lojtarët e ekipit kombëtar u kontrolluan fizikisht një nga një, së bashku me sendet personale. FSHF-ja është e mendimit se të gjitha veprimet e renditura më lart nuk i kanë shërbyer mbarëvajtjes dhe zhvillimit normal të ndeshjes, e cila nuk arriti të përfundonte.