27 shkurt 2015 – Futbolli si një lojë, si një mundësi për të gjetur kënaqësi e shpresë edhe aty ku është e vështirë. Mision që përputhet plotësisht me nismën e FSHF që në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe Bashkinë e Kavajës, organizuan finalen e Turneut të Futbollit mes një seleksioni të të dënuarve nga burgjet e Kavajës, Peqinit dhe Fushë Krujës të cilët u përballën me disa nga ish futbollistët e kombëtares shqiptare të futbollit. Ky aktivitet i cili u zhvillua në stadiumin Besa të Kavajës ishte kurorëzimi i të gjithë turneut të futbollit që u organizua për një vit, në institucionet e vuajtjes së dënimit në vend.
Ndeshja u ndoq nga afër nga Ministri i Drejtësisë Nasip Naco, Presidenti i FSHF Armand Duka si dhe autoritete të pushtetit vendor. Kreu i institucionit të futbollit shqiptar bëri të ditur se organizimi i të tilla veprimtarive është njëkohësisht një ndër detyrimet e Fshf. Ministri i Drejtësisë Nasip Naço vuri theksin në punën e institucionit që drejton për reforimin e sistemit të burgjeve në mënyrë që të krijohen kushtet e nevojshme për riedukimin dhe rintegrimin e të dënuarve.
Edhe pse ekipi i përbërë nga ish futbollistët e kombëtares kaloi i pari në avantazh me golin e Altin Rrakllit dhe kryesonte në pjesën e parë , formacioni i të dënuarve fitoi gjithë ndeshjen 5-3 me përmbysje. Në fund të fundit kjo ishte dita e tyre, dhe një fitore me përmbysje simbolikisht thotë shumë edhe për atë se si gjithmonë ka kohë për të ndryshuar rrjedhën e jetës.





