27 maj 2015 – Federata Shqiptare e Futbollit ka reaguar pas akuzave të bëra publike në një emision televiziv nga administratori i FK Flamurtari, Sinan Idrizi nëpërmjet një komunikate duke lëshuar akuza ndaj numrit 1 të vlonjatëve dhe klubit të Flamurtarit.
FSHF-ja në deklaratën e saj thekson se prej kohësh Idrizi ka lëshuar akuza ndaj saj dhe komisionieve juridike të Federatës, pa asnjë bazë, të cilat gjithsesi nuk mund të errësojnë të vërtetën dhe të zbehin sadopak punën e komisioneve dhe FSHF-në në përgjithësi.
Sipas FSHF-së, është e vërtetë që administratori Sinan Idrizi ka sjellë në Komisionin e Etikës kërkesën për hetuar ndeshje. Por është po kaq e vërtetë, që zyrtarët e klubit të tij dhe ai vetë, nuk kanë bashkëpunuar për të treguar individë konkretë tek të cilët dyshojnë. Qeveria e futbollit në vend ka sqaruar se Flamurtari nuk ka qenë klub i dyshuar nga Komisionet e FSHF më parë, por pikërisht kohët e fundit ai është shndërruar në një klub problematik ku së fundmi erdhen edhe raporte nga UEFA.
Ai është hetuar disa herë edhe nga Komisioni i Etikës. Sipas FSHF-së, klubi i Flamurtarit ka filluar të dyshohet për trukime ndeshjesh vetëm në momentin që Sinan Idrizi ka marrë drejtimin e skuadrës vlonjate, ndërkohë që deklarata e saj mbyllet me qëndrimin e prerë, se për këtë person dhe këdo tjetër që shkel etikën do të zbatohen të gjitha sanksionet që parashikohen në rregulloren e futbollit.
Konflikti mes FSHF-së dhe Sinan Idrizit, lindi pas vendimit të Komisionit të Disiplinës në fundin e muajit prill për ta pezulluar administratorin e Flamurtarit me 3 muaj, për shkak të pakënaqësive të shprehura prej tij ndaj vendimeve të Komisionit të Etikës.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/