25 janar 2015 –  Federata Shqiptare e Futbollit ka reaguar pas ndeshjes Flamurtari-Teuta të luajtur në Vlorë dhe që përfundoi me rezultatin 2-1 për vlonjatët. Një fitore që u kontestua nga tifozeria vlonjate si tolerim që bënë durrsakët e po kështu u kontestua edhe nga drejtuesit vlonjatë. Nëpërmjet zyrës për shtyp, FSHF bën me dije se ka vënë menjëherë në lëvizjet mekanizmat e saj për të mbledhur fakte dhe informacione rreth ngjarjes që ndodhi dje në Vlorë dhe ka konfirmuar se çështja do t’i kalojë për shqyrtim Komisionit të Etikës pranë FSHF-së.

“Federata Shqiptare e Futbollit pasi ka marrë informacione për ndeshjen Flamurtari-Teuta ka vënë menjëherë në lëvizje mekanizmat e saj. Federata po mbledh materiale filmike, dëshmi dhe fakte të tjera të cilat do të jenë objekt i gjykimit dhe vendimmarrjes së Komisionit të Etikës”, thuhet në reagimin zyrtar të FSHF-së të bërë publik nga zyra e shtypit.

Qeveria e futbollit mësohet se ka angazhuar të gjithë stafin e vet dhe ka shprehur të gjithë gatishmërinë për të zbuluar atë që ka ndodhur në Vlorë, një ngjarje që ka pasur jehonë të madhe në opinionin publik. Po kështu numri 2 FSHF, Ilir Shulku, ka drejtuar menjëherë gishtin nga Komisioni i Etikës, nga i cili ka kërkuar që të hetojë për çdo anomali të mundshme në ndeshjen e luajtur në Vlorë:

“Për të qenë korrekt me mediat, por edhe me opinionin futbolldashës, dua të saktësoj se Federata Shqiptare e Futbollit, si një institucion, ka qenë është dhe do jetë në luftë të përhershme ndaj çdo anomalie sado e dyshimtë qoftë ajo, në mbrojtje të vlerave që sjell loja e bukur e futbollit. Pikërisht në këtë kontekst u krijua para tre vitesh edhe Komisioni i Etikës, me personalitete nga fusha e sportit dhe juridike, ndaj edhe për rastin në fjalë, jam i bindur se ky komision do të nisë menjëherë nga hetimi”, ka thënë Shulku.

Më pas, Shulkut i është kërkuar edhe një mendim personal, si një ish-lojtar, por sekretari i FSHF-së ka saktësuar se për arsye personale nuk ka mundur ta shikojë ndeshjen në televizion apo stadium: “Për shkak të një problemi familjar, nuk e kam parë dot ndeshjen dhe do paragjykoja nëse do jepja një mendim personal. Për më tepër unë flas institucionalisht dhe nisur nga informacionet që kam marrë mund të kërkoj vetëm që Komisioni i Etikës ta hetojë këtë takim dhe nëse nxjerr nga aty anomali, të veprojë në bazë të rregulloreve dhe kodeve që ka tashmë në dispozicion drejtësia sportive”, ka thënë Shulku. Dyshimet për tolerim u përhapën nga tifozeria vlonjate në fund të ndeshjes. Lojtarët e Teutës, veçanërisht mbrojtësit, shthuren totalisht, duke lënë hapësira pa fund në zonë për sulmuesit kuqezi. Në minutat shtesë, tifozët kanë fërshëllyer pa ndërprerje, në drejtim të skuadrës së tyre. Duke parë shpërdorimet e shumta të Flamurtarit në kohën shtesë, ku edhe me portën thuajse të boshatisur nuk kanë shënuar dot, tifozët kanë shpërthyer. “Turp! Turp! Turp!”, kanë brohoritur në kor pas momentit të shënimit të golit nga Shehaj. Festa nuk ekzistonte, ndërkohë që po ashtu kishte duartrokitje dhe thirrje ironizuese: “Teuta! Teuta! Teuta!”. Tifozët vlonjatë shprehën hapur indinjatën e tyre, jo vetëm me sjelljen e kundërshtarit, por edhe me reagimin e skuadrës kuqezi. Rastet e panumërta të humbura krijuan një situatë të denjë për humor sportiv. Ndërkohë, në momentin e golit, ishin të paktë ata tifozë, por edhe pjesëtarë të stafit kuqezi që festuan.